Politike
Paloka: Rama nuk shkon dot as te sholla e Gramoz Ruçit, opozita duhet të jetë më radikale
Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka komentoi situatën politike në vend dhe rolin e opozitës. Paloka u shpreh se qytetarët nuk kanë nevojë për prova të reja për të kuptuar se çfarë përfaqëson kryeministri Edi Rama dhe ku po e çon Shqipërinë.
Deputeti e cilësoi Ramën si ‘fatkeqësinë e këtij vendi’ dhe e quajti qeverinë e tij si burim të keqes në vend. Ai tha se opozita duhet të marrë hapa më radikalë për të përballuar situatën dhe për të gjetur rrugë alternative për ndryshimin.
Paloka komentoi edhe protestat e fundit, duke theksuar se ato nuk janë dhunë e madhe, por reagime të rinjve të revoltuar, dhe kritikoi ndërkombëtarët që, sipas tij, kanë qëndruar indiferentë ose kanë marrë paga nga qeveria për të diskredituar opozitën.
Ai theksoi se pyetja kryesore mbetet: si rrëzohet një regjim kur nuk lejon ndryshimin përmes instrumenteve demokratike?
‘Ti e di që unë kam qenë gjithnjë për, jo sot, sepse nuk kam pasur, të jemi të sinqertë, nevojë për shumë prova të tjera të Ramës për të ditur se kush është Rama dhe ku do ta çojë këtë vend.
Kështu që kam qenë gjithmonë i mendimit që opozita duhet të jetë më radikale, të gjejë rrugë të tjera, po përdor prapë termin radikale, sepse nuk ka zgjidhje tjetër. Ne nuk kemi përballë një njeri që kupton, njeh demokracinë, pranon kundërshtarin e të tjera e të tjera. Janë prova që ai i ka dhënë në fakt që herët. Nuk kishte nevojë për 13 vjet që të arrinim këtë konkluzion.
Ky njeriu që siç e kujtojnë shumë, erdhi në fillim domethënë edhe arriti edhe të mashtrojë një pjesë të njerëzve. Erdhi gjoja si trendi, si i riu, domethënë përballë të ‘vjetrit’ Berishës, që ky ishte më europian, më modern, ky do sillte ndryshime pozitive.
Sot unë ja kam shkruajtur dhe me një status, për fat të keq ky ka treguar që ky as te sholla e këpucës së Gramoz Ruçit nuk shkon dot. Të atij Gramozit, ish-sekretarit të partisë e të tjera me të gjitha të zezat. Ky moderni, trendi, europiani e të tjera e të tjera, ky nuk arriti të shkojë as te sholla e këpucës së Gramoz Ruçit tek ajo parti. Pra, ai është fatkeqësia.
Ajo është e keqja, qeveria dhe ai. Këtu nuk ka më dilema. Si zgjidhet? Kjo është pyetja që vazhdojmë ta bëjmë ne, ta bëjnë të gjithë, dhe që opozita në një farë mënyre duhet t’i japi përgjigje. Është e vërtetë, jemi se shohim, edhe tek protesta e fundit pati reagime nga, nga ndërkombëtarët. Dhe gjithmonë unë i ndaj këta, edhe ndërkombëtarët, në ata që marrin rrogë te Rama, dhe që janë ca paçavure domethënë që e kanë diskredituar veten.
E patë edhe sot një deklaratë të njërës prej tyre. Dhe tek ata që janë realisht miq të shqiptarëve, që e vlerësojnë edhe demokracinë, edhe e duan kthimin e demokracisë në këtë vend. Dhe unë këtyre të dytëve ju kam, ju kam bërë disa pyetje të thjeshta, se dolën dhe dje me deklaratë që, dhe e kanë thënë edhe në takimet që kam pasur me ne domethënë, për të qenë i sinqertë, që ne nuk duam protesta të dhunshme, nuk duam dhunë.
Në fakt mua jo protestat, edhe këto protestat që po bëjmë ne, vetëm me dhunë nga ana jonë nuk më duket se ka. Tashi nuk dua ta banalizoj, po ca fishekzjarre dhe ca shishe molotov që hedhin ëh, njerëz të revoltuar, të rinj aty, që gjithmonë i hedhin në një kuadrat ku as pemët nuk dëmtohen. Nuk më duket se ka ndonjë dhunë të madhe këtu, të jemi të sinqertë. Por le ta zëmë se edhe kaq dikujt i duket dhunë, për parimet që ka.
Tashi janë po këta miq që këtë e kanë quajtur regjim. Vetëm pak ditë më parë, ëh, një institut shumë i rëndësishëm që studion nivelin e demokracisë e quajti Shqipërinë autokraci elektorale. Pra demokraci nuk ka në këtë vend. Atëherë ju them si një regjim, një diktaturë, se për mua është diktaturë, nuk kam pikën e dyshimit, pavarësisht këtyre sfumimeve që nuk e lënë të duket ajo diktatura brutale që jemi mësuar ne.
Një diktaturë si rrëzohet? Kur nuk të le të zhvillosh zgjedhje. Kur ti nuk ke mundësinë ta ndryshosh realitetin me votë, si ndryshohet?’, u shpreh deputeti Edi Paloka