Aktualitet
Studimi: Rinia në Shqipëri e vendet e tjera të Ballkanit po dezinformohen
Një studim i ri i publikuar në qershor 2026, nga British Council, analizon mënyrën se si të rinjtë në vendet e Ballkanit Perëndimor aksesojnë informacionin, vlerësojnë besueshmërinë dhe përballen me dezinformimin në jetën e tyre të përditshme digjitale.
Studimi përfshin të rinj të moshës 18–30 vjeç nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, duke synuar të kuptojë më mirë sjelljet e tyre informuese në një mjedis ku informacioni është gjithnjë e më i bollshëm, por shpesh i vështirë për t’u verifikuar.
Sipas gjetjeve kryesore, të rinjtë në rajon përshkruajnë një hapësirë informacioni të karakterizuar nga një volum i lartë përmbajtjesh dhe vëmendje e fragmentuar. Në vend të verifikimit të plotë të burimeve, ata shpesh mbështeten në “shenja besueshmërie” të shpejta për të vlerësuar informacionin.
Studimi thekson se ekspozimi ndaj informacionit shpesh nuk vjen nga kërkimi aktiv i lajmeve, por përmes algoritmeve të platformave, rekomandimeve, komenteve, ripostimeve dhe bisedave në grupe online.
Një nga gjetjet kryesore është se verifikimi i informacionit perceptohet si një proces i lodhshëm dhe që kërkon kohë dhe aftësi specifike. Për këtë arsye, të rinjtë shpesh zgjedhin të kontrollojnë vetëm një pjesë të informacionit ose të mbështeten tek persona të besuar për të verifikuar përmbajtjen.
Në disa raste, kur mbingarkesa informuese është e lartë, përdoruesit zgjedhin të shkëputen ose ta trajtojnë përmbajtjen si argëtim dhe jo si informacion faktik.
Raporti evidenton se niveli i besimit në institucione dhe media ndryshon sipas vendeve, por në përgjithësi mbizotëron një skepticizëm ndaj politikës dhe interesave mediatike.
Në mjedise me besim më të ulët institucional, ndikimi i rrjeteve personale dhe komunitetit bëhet më i fortë në përcaktimin e asaj që konsiderohet e besueshme.
Sipas studimit, zgjedhjet, krizat apo temat sociale të polarizuara rrisin ndjeshëm ekspozimin ndaj dezinformimit dhe presionin emocional mbi të rinjtë. Në këto momente, informacioni bëhet më i vështirë për t’u shmangur dhe reagimet shpesh janë të shoqëruara me ankth, kujdes të shtuar ose shmangie të përmbajtjes.
Studimi përfundon se lufta kundër dezinformimit në Ballkanin Perëndimor nuk mund të kufizohet vetëm në rritjen e aftësive individuale të të rinjve për verifikim informacioni, por kërkon edhe ndërhyrje në nivel sistemi.
Kjo përfshin përmirësimin e ekosistemeve mediatike, forcimin e institucioneve dhe krijimin e mekanizmave që adresojnë ndikimin e platformave digjitale dhe komuniteteve online.
Raporti nënvizon se të rinjtë janë veçanërisht të ekspozuar ndaj këtij mjedisi dinamik informacioni, duke e bërë të domosdoshme një qasje të koordinuar rajonale për rritjen e rezistencës ndaj dezinformimit.