Kosova
TURP I MADH PER AMERIKEN DHE EUROPEN, KRIMINALIZUAN NJE LUFTE QE ATA VETE E MBESHTETEN
Vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë ndaj Hashim Thaçit dhe tre ish-drejtuesve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka shkaktuar reagime të forta edhe në qarqet ndërkombëtare.
Në një analizë të tij, studiuesi amerikan Daniel Serwer e cilëson vendimin dhe vetë funksionimin e Dhomave të Specializuara si të padrejtë, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si u krijua dhe funksionoi kjo gjykatë.
Thaçi u dënua me 25 vite burgim, ndërsa tre ish-drejtuesit e tjerë të UÇK-së morën gjithashtu dënime të rënda. Sipas vendimit të shkallës së parë, ata u shpallën fajtorë për disa akuza për krime lufte, ndërsa u shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit.
Serwer argumenton se Kosova dhe veçanërisht Thaçi iu nënshtruan presionit amerikan dhe evropian për krijimin e Dhomave të Specializuara përmes një amendamenti kushtetues. Sipas tij, gjykata është kosovare në aspektin formal, por funksionon me staf ndërkombëtar dhe me një mandat të veçantë.
Një pjesë e rëndësishme e analizës së tij lidhet me vetë Hashim Thaçin. Serwer thotë se nuk beson se ish-presidenti i Kosovës kishte autoritet komandues mbi forcat që kryen krimet për të cilat u shpall fajtor. Ai kujton edhe një bisedë të zhvilluar me Thaçin pas luftës, duke thënë se atëherë roli i tij ishte paraqitur si ai i një zëdhënësi politik të UÇK-së.
Serwer vendos gjithashtu në kontrast dënimin e ish-drejtuesve të UÇK-së me zhvillimet në Serbi. Ai përmend rolin e Aleksandar Vuçiçit në qeverinë e Sllobodan Millosheviçit dhe nderimet që, sipas tij, iu bënë Ratko Mlladiçit në Serbi.
Për studiuesin amerikan, ky kontrast ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si është trajtuar drejtësia ndërkombëtare në rajon.
“Amerikanët dhe evropianët duhet të ndihen të turpëruar”, shkruan Serwer, duke argumentuar se Perëndimi ka mbështetur dikur UÇK-në, ndërsa sot, sipas tij, ka kontribuar në kriminalizimin e saj dhe ka shndërruar drejtësinë ndërkombëtare në atë që ai e quan “hakmarrje politike”.
Serwer paralajmëron gjithashtu se vendimi pritet të apelohet dhe procesi mund të zgjasë për vite. Ndërkohë, ai shpreh shqetësimin për reagimet në Kosovë dhe Serbi, duke bërë thirrje që protestat të mbeten paqësore.
Në përfundim, ai e shtrin kritikën përtej vetë vendimit ndaj Thaçit dhe ish-drejtuesve të UÇK-së, duke vënë në pikëpyetje vetë modelin mbi të cilin u krijuan Dhomat e Specializuara.
“Nuk është vetëm vendimi ai që është i padrejtë. Është vetë gjykata”, përfundon Daniel Serwer.