Aktualitet
“S’na janë plotësuar kërkesat”, pedagogët paralajmërojnë sërish protestë
Sindikata e Punonjësve të Universiteteve kanë paralajmëruar një protestë me datë 22 Shkurt, në orën 12:00, para Korpusit Universitar në Tiranë. Gjatë një deklarate për mediat, kreu i sindikatës së pedagogëve, Sandër Koçavi u shpreh se qeveria nuk ka plotësuar të gjitha kërkesat e tyre.
“Ju informojmë se SPUSH i është drejtuar zyrtarisht dhe publikisht institucioneve përkatëse për trajtimin e kërkesave legjitime të stafeve akademike, ndihmës-akademike dhe administrative, me besimin se këto institucione njohin, vlerësojnë, pra dhe do duhet të mbështesnin organizimet publike dhe vullnetare të stafeve akademike dhe zërin e këtij grupimi intelektual, që më shumë se kushdo tjetër besojnë se një shoqëri demokratike funksionon si e tillë për aq kohë, sa qytetarëve të saj iu mundësohet cilësia e arsimit.
Mungesa apo shkëputja e urave të komunikimit dhe informimit ndërmjet qeverisë dhe profesoratit është shembulli më i keq për të treguar hegjemoninë e makinerisë së pushtetit ndaj grupimeve më genuine të shoqërisë. Deklaratat dhe qëndrimet e qeverisë për të mos mbështetur financiarisht arsimin e lartë në lidhje me rritjen e pagave dhe fondit për kërkimin shkencor dëshmon mungesën e njohjes, por edhe të ndjeshmërisë së pushteteve ndaj asaj që po ndodh në universitete dhe në gjithë shoqërinë tonë.