Connect with us

Politike

Meta: Qeveria po falimenton sektorin e blegtorisë

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka akuzuar qeverinë se po falimenton qëllimisht sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Meta ka shkruar se mungesa e mbështetjes nga qeveria ka bërë që sektori blegtoral të mos mbulojë dot as kostot e prodhimit, teksa ka shtuar se qumështi në Shqipëri shitet 30% më shtrenjtë s enë Evropë.

Sakaq, ka bërë thirrje për pjesëmarrje në zgjedhjet e 14 majit, duke  quajtur si vendimtar për ndryshimin dhe ndalimin e shpopullimit.

“Mohimi i mbështetjes për fermat tona blegtorale, mungesa e mbështetjes financiare nga Qeveria për fermat dhe bagëtitë tona, ka bërë që sektori blegtoral vendas të mos mbulojë dot kostot e prodhimit.

Prandaj edhe numri i krerëve brenda një pesëvjeçari është thuajse përgjysmuar dhe vazhdon uljen e pandalshme.

Shqipëria, prodhon sot më pak qumësht se çdo vend tjetër në Europë. Vetëm 41 litra qumësht nga bagëtitë për banorë, ndërkohë që në Europë kjo sasi shkon deri në 1900 litra qumësht për banorë.

Kjo ulje e jashtëzakonshme e prodhimit vendas të qumështit, ka çuar në rritje me 70% të çmimeve të bulmetit për konsumatorin, në krahasim me një vit më parë.

Qumështi ynë sot u shitet qytetarëve më të varfër të kontinentit, 30% më shtrenjtë se sa fqinjët dhe Europa.

Fermerët dhe blegtorët duhet të dinë se shfarosja e programuar e bagëtive të vendit është ftesë për braktisje dhe largim të tyre.

Zbrazja e vendit është e lidhur në veçanti me falimentimin e qëllimtë të Bujqësisë dhe të Blegtorisë. Ndaj 14 Maji është vendimtar për Ndryshimin dhe ndalimin e shpopullimit”, ka shkruar Meta.

Advertisement