Rajon
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miraton marrëveshjet në kuadër të Procesit të Berlinit
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka ratifikuar marrëveshjen për njohjen reciproke me 6 vende të Ballkanit Perëndimor të letërnjoftimeve (karta ID), të diplomave universitare si dhe marrëveshjen e kualifikimeve profesionale.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani i cili tha se tri marrëveshjet janë miratuar në kuadër të Procesit të Berlinit.
Nërpërmjet një postimi të bërë ai shkruan se Procesi i Berlinit ndihmon integrimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
“Marrëveshjet janë të një rëndësie të jashtëzakonshme në kontekstin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe shërbimeve, në përputhje me vlerat dhe praktikat më të mira të BE-së. Procesi i Berlinit e ndihmon integrimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE. Marrëveshjet janë të një rëndësie të jashtëzakonshme në kontekstin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe shërbimeve, në përputhje me vlerat dhe praktikat më të mira të BE-së. Procesi i Berlinit e ndihmon integrimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE”, shkruan Osmani në Facebook.
Procesi i Berlinit
Procesi i Berlinit u vendos në vitin 2014 me iniciativën e ish-kancelares gjermane, Angela Merkel, me qëllim të lidhjes dhe integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor përpara se të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Procesi i Berlinit shërben si një platformë për bashkëpunimin e nivelit të lartë ndërmjet përfaqësuesve zyrtarë të nivelit të lartë të së ashtuquajturës Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor, e cila përbëhet nga Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Procesi përfshin edhe institucionet e BE-së, institucionet financiare ndërkombëtare dhe shoqërinë civile në rajon. Samiti i nëntorit në Berlin përfaqëson, gjithashtu, ringjalljen e procesit, që kur kancelari Olaf Scholz drejton Qeverinë në Berlin. Sipas njoftimit, samiti i ardhshëm do të organizohet në kryeqytetin shqiptar, Tiranë.