Kosova
Urdhër nga përtej Oqeanit/ Chollet: Asociacioni menjëherë
Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, tha se ka pasur një “bisedë shumë të mirë” me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me takimin e 2 majit mes tij dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Në një postim në Twitter, Chollet tha se kanë biseduar edhe “për rëndësinë e zbatimit të menjëhershëm” të marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Kurti dhe Vuçiç do të takohen të martën në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Pikë e parë e rendit të ditës pritet të jetë çështja e personave të zhdukur nga koha e luftës dhe më pas ajo e Asociacionit.
Pritjet janë që dy udhëheqësit të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur, si dhe të diskutojnë për draft-statutin e Asociacionit, të krijuar nga i ashtuquajturi Ekip Menaxhues.
Kurti dhe Vuçiç u takuan për herë të fundit në Ohër, më 19 mars, kur edhe u pajtuan gojarisht për zbatimin e asaj që njihet si Marrëveshje Bazë, e që duhet të çojë drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Kjo marrëveshje, e njohur më herët edhe si propozimi evropian, kërkon nga të dyja palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, i cili ka nisur qysh nga viti 2011.
Ajo nuk parasheh njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, por kërkon prej tyre që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.