Connect with us

Shkrime

Enver Bytyçi: Shqiptarët sot janë si i do hasmi

Në tri komunat e veriut të Kosovës serbët sërishmi u ngritën me sirena alarmi në protesta kundër konstituimit të kryetarëve të rinj të komunave. Ishte e pritshme! Janë disa aktorë perëndimorë që po kërkojnë me çdo kusht të ketë një konflikt midis shqiptarëve dhe serbëve në veri. Albin Kurti e ka kuptuar këtë lojë. Prandaj po tregon muskujt, edhe pse shumë shqiptarë, politikanë opozitarë, intelektual, analistë kanë ngritur po ashtu sirenat e alarmit nëpër shqiptari për “katastrofën që do të na ndodhë, nëse Serbia stërkeqet e na sulmon”!

Profesorë me mjekër e pa mjekër, përfaqësues të OJQ-ve e analistë portalesh pa fund po dalin çdo orë dhe bërtasin me të madhe “Albini don të futë në luftë me Serbinë”! Nuk fajësojnë as Vuçiçin, as Daçiçin, as ushtrinë serbe, as Listën Srpska, por kryeministrin e Kosovës. Thërrasin me të madhe në alarm gjithashtu se “Albini po na prish me Amerikën”! Edhe pse kryeministri i vendit, së paku deri në këtë minutë, po mbron territorin e vendit të tij!

Disa prej këtij kallëpi janë në shërbim të Serbisë, por shumica duket se janë frikacakë, nuk duan ta prishin terezinë e qejfit e rehatisë edhe pse rrezikohet territori i Kosovës. Kush thotë se nuk është në rrezik territori, ai jo vetëm gabon, por me dije dëshiron të kontribuojë në këtë projekt të Serbisë. Frika u ka hyrë në palcë! Po dridhen prej rrezikut të luftës. Thjesht për t’i vënë në provë këta tregtarë të trojeve shqiptare, do të doja që presidentja e Kosovës të shpallë mobilizim të përgjithshëm ushtarak e pastaj le të shohim se kah ja mbajnë analistët…

Ndërkaq luftën nuk e dëshiron Kurti dhe as Osmani. Ata që qëndrojnë dhe i bëjnë ballë provokimeve të Serbisë dhe presidentit të saj të çmendur, në fakt janë kundër luftës. Lufta do të vinte në momentin kur qeveria e Kosovës të pajtohej me ndryshimin e kufijve ose me sovranitetin serb në Kosovë.

Atëherë do të kishte një reagim të pakontrolluar të shqiptarëve. Sa kohë që rezistencën e ushtrojnë qeveria, presidentja dhe institucionet e vendit, sa kohë që në veri qëndrojnë policia dhe forcat speciale të Kosovës, lufta nuk do të ndodhë. Serbia bën presion me qëllim që shqiptarët “frikacakë” të bëhen shumicë.

Ndërkaq në Perëndim, edhe pse i dinë të gjithë skenarët që do të zhvillohen, bëjnë alarmin e tretë. “Ndaluni, ndryshe do të paguani koston”, na thonë miqtë tanë. “Po shkelet vija e kuqe”, thonë ata dhe të gjitha kambanat e alarmit i drejtojnë nga Prishtina, nga qeveria, kryeministri Kurti dhe institucionet e vendit. “Çfarë bëjnë policët në veri”, pyesin disa! Sepse nuk duan ta shohin se si turmat e pakicës serbe me maska, me gazlotsjellës e armë të ndryshme provokojnë për të mos lejuar funksionimin e komunave në veri. Thonë se “Prishtina, përkatësisht Kurti, është fashist dhe ka pushtuar veriun”! Djegin në flakë makinat e policisë, plagosin policë të Kosovës e të EULEX-it, vizatojnë në automjetet e KFOR-it simbolet e Putinit, e megjithatë vazhdon rituali i pyetjes “Çfarë bëjnë policët në veri”!

Terroristët në veri të Kosovës po kërcënojnë paqen, qeveria dhe kryeministri i Kosovës akuzohen! Ndërkohë marrim vesh se ata që kërcënuan opozitën shqiptare para katër vitesh për ta shpallur atë si organizatë terroriste, sot punojnë për një kompani lobuese të Serbisë në SHBA, e cila është paguar me 1.8 milion euro për të lobuar pro-Serbisë dhe kundër Kosovës. Midis tyre dhe Matju Palmer dhe Richard Grennell.

Serbët kanë shpallur si devizë unitetin dhe madje thonë se “vetëm uniteti e bashkimi na shpëton”. Shqiptarët kanë shpallur si doktrinë të tyre përçarjen “për të fituar”! Ah Fishta i Madh dhe i Jashtëzakonshëm! Edhe sot na qorton me fjalët e tij “Shqiptarët janë bash njashtu si i do hasmi”!

 

 

 

Advertisement