Aktualitet
Kurti po zbut qëndrimet për Asociacionin/ Reagimi i Alon Ben Meir
Për ekspertin e çështjeve të Ballkanit Perëndimor, Alon Ben Meir, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka zbutur qëndrimin e tij lidhur me zgjedhjet e reja në Veri dhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Në intervistën e tij të fundit për Bloomberg, Kurti duket se e kishte zbut qëndrimin e tij lidhur me nevojën për zgjedhje të reja në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës si dhe zbatimin e Asociacionit të Komunave Serbe”, ka shkruar Alon Ben Meir në platformën X.
Muajin e kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar se masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian të vendosura ndaj Kosovës pas mos-gatishmërisë së Qeverisë për të de-përshkallëzuar situatën në Veri të vendit sipas kërkesave të komuniteti ndërkombëtar po e dëmtojnë Kosovën në aspektin socio-ekonomik.
Ai ka theksuar se masat shtrënguese të Unionit “po e dëmtojnë vendin në aspektin e mbështetjes financiare” të cilat i alokohen Kosovës në formë të granteve dhe kredive nga BE-ja.
Shefi i Qeverisë në po atë intervistë ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të normalizojnë raportet, para se aleatët të nisin të merren me zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në BE.
Sipas tij kthimi në Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit e miratuar nga Kosova dhe Serbia në shkurt dhe në mars të këtij viti është e vetmja rrugë përpara.