Connect with us

Kosova

Bieber akuzon BE-në: Vendosni sanksione, Serbia ka dorë në Banjskë

Historiani dhe njohësi i zhvillimeve politike në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Florian Bieber, ka thënë se ngjarjet në Lindjen e Mesme dhe në Nagorno Karbakh duhet të jenë një mesazh për BE-në, se konfliktet e ngrira janë gjithmonë të rrezikshme nëse nuk zgjidhen. Bieber tha se konfliktet e ngrira nëse nuk zgjidhen përmes dialogut, atëherë ato do të zgjidhen në mënyra të rrezikshme, në momentetet kur s’e ke situatën nën kontroll dhe kur s’mund të gjesh zgjidhje më të mira. “Një konflikt i ngrirë nuk mund të ekzistojë. Kjo u pa në Lindjen e Mesme, në Nagorno-Karabakh… Një konflikt i ngrirë është vetëm një konflikt në të cilin dy palët kërkojnë një arsye ose një mundësi për t’i dhënë fund asaj lufte. Ky duhet të jetë një mesazh për BE-në, që konfliktet e ngrira duhet të zgjidhen, nëse nuk zgjidhen, do të zgjidhen në një mënyrë më të rrezikshme, në disa raste kur nuk është nën kontroll, kur nuk mund të gjesh zgjidhje më të mira” – Theksoi Florian Bieber. Duke folur përsa i përket sanksioneve ndaj Serbisë pas sulmit të 24 shtatorit, Bieber ka thënë se deri tani është duke u folur me një gjuhë të paqartë. Sipas tij, “nëse vërtetohet se Serbia është përgjegjëse për ngjarjen në Banjskë , apo se e ka ndihmuar apo lehtësuar atë, atëherë është e vështirë të kuptohet pse nuk do të ketë disa sanksione”. Bieber gjithashtu ka thënë se ajo që ka ndodhur në Banjskë ka qenë e rrezikshme jo vetëm për Kosovën por edhe për të gjithë rajonin. Ai ka shtuar edhe se nuk sheh mundësi që dialogu të vazhdojë seriozisht dhe potencoi se dialogu aktual është vetëm sa për ta ruajtur paqen. Bieber beson se hetimet për sulmin në Bansjkë duhet të jenë transparente dhe të pranueshme.  “Ka faj politik nëse vërtetohet se ata që janë përgjegjës për sulmin terrorist, janë nga rrethi i presidentit Vucic. Dhe nëse shohim interpretimin e ngjarjeve nga ana e presidentit serb, dhe gjithashtu nga ana e mediave që kontrollohen nga ai dhe partia në pushtet, që po përpiqen t’i kthejnë autorët në heronj, është sikur dikush t’i kthejë terroristët në heronj në Gaza” – potencoi Bieber. Në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve Beta, Bieber tha edhe se është e pamundur të vazhdosh dialogun nëse ke një ngjarje që interpretohet në mënyra diametralisht të kundërta: njëra palë shpall ditë zie për ata që sulmuan policët dhe pala tjetër këtë e interpreton si sulm ndaj Kosovës.

Advertisement