Kosova
Sanksionet për Serbinë të paimagjinueshme/ Flet analisti serb
Sërgjan Cvijiç nga Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë, në një intervistë për gazetën serbe “Nova”, teksa ka komentuar ngjarjen vdekjeprurëse në Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, ka thënë se potenciali për ripërtëritje të konfliktit në Kosovë, por edhe në Bosnje-Hercegovinë, ekziston ende. “Megjithëse shumica e popullsisë në rajon është krejtësisht e papërgatitur për një luftë të re, nuk duhet të anashkalojmë faktin se konfliktet më të vogla sikurse ai në Banjskë, në një farë mënyre e normalizojnë gradualisht dhunën dhe se sapo të dalë jashtë kontrollit, ajo vështirë të ndalet. Këtë e pamë në fillim të viteve 1990”, ka paralajmëruar Cvijiç. Ai ka nënvizuar se kurrë nuk duhet të injorohet potenciali i marrëzisë njerëzore, dhe ka shtuar se përgjegjësia për frenimin e ngjitjes drejt ekstremeve mbetet në duart e politikanëve dhe politikanët përgjegjës, sipas tij, janë në Serbi dhe në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe se Serbia rrezikon të kthehet në një gjendje katastrofike. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar përgjigje nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, lidhur me sulmin terrorist të paramilitarëve serbë në territorin e Kosovës. Per kete, Cvijiç ka potencuar se nëse konstatohet se Vuçiçi është i përfshirë drejtpërdrejt në sulmin në Banjskë, pasojat për popullin serb do të jenë të pallogaritshme. “Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për sanksione, por në fund të fundit edhe për rrezikimin e drejtpërdrejtë të pozitës negociuese ndërkombëtare të Serbisë kur bëhet fjalë për Kosovën dhe procesin e zgjerimit të BE-së. Në një kohë shumë të shkurtër për fajin e regjimit do të ktheheshim në gjendjen katastrofike që jetonim në vitet ’90”, ka shtuar Cvijiç. BE-ja tashmë ka “skicuar” disa nga “masat ndëshkuese” ndaj Serbisë për shkak të dyshimeve se është përfshirë në sulmin terrorist të 24 shtatorit. Vendosja e “masave ndëshkuese” ndaj Serbisë varet nga bashkëpunimi i plotë dhe i pakushtëzuar i presidentit serb në kryerjen e hetimeve në lidhje me sulmin.