Kosova
“Ftesë për vizitë në 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës”, Gërvalla takon kryeministrin e Andorrës
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla është pritur në një takim nga kryeministri i Andorrës, Xavier Espot Zamora. Gërvalla mësohet se mori mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Situata e sigurisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor si dhe nevoja e integrimit të Kosovës në mekanizmat e sigurisë dhe ato europiane ishin temat kyçe në takimin mes Ministres Gërvalla dhe Kryeministrit Espot Zamora.
“Republika e Kosovës si një shtet me aspirata të qarta integruese është mirënjohëse ndaj Principatës së Andorrës për mbështetjen e parezervë dhënë në procesin e anëtarësimit të shtetit tonë në organizata ndërkombëtare”, tha Gërvalla.
Gjithashtu, Gërvalla e ka njoftuar kryeministrin e Andorrës rreth progresit të Kosovës në ekonomi, sundim të ligjit dhe rritjen e standardeve demokratike në vend.
“Ministrja Gërvalla e falënderoi kryeministrin e Andorrës për mbështetjen e dhënë ndaj Kosovës në anëtarësimin e saj në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë dhe kërkoi vazhdimin e mbështetjes edhe në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, për të cilin proces mori mbështetjen e nevojshme”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Jashtme të Kosovës.
Gjatë këtij takimi palët shprehën gatishmërinë për bashkëpunim edhe në fushën e turizmit, shkëmbim të eksperiencave në diplomaci dhe fusha tjera me interes të përbashkët. Mësohet po ashtu se Gërvalla e ftoi kryeministrin e Andorrës të vizitojë Kosovën, në 25-vjetorin e çlirimit.