Politike
Revoltohet Paloka: Vizita e sekretarit amerikan Blinken në Tiranë, skandal i madh
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Rithemelimit, Edi Paloka, deklaroi se opozita duhet të radikalizojë qendrimet, në mënyrë që të arrijë qëllimin për të rrëzuar qeverinë e kryeministrit Rama.
“Ne i kemi provuar të gjitha, edhe rrugën e butë, edhe të alternativës. Vjen Rama dhe ble zgjedhjet. Përderisa nuk bëhen zgjedhje, rregjimi nuk rrëzohet me votë. Prandaj duhet revolta.”– deklaroi zoti Paloka në emisionin “Pa Censurë”, në RTSH.
I pyetur, nëse kjo është rruga e duhur, megjithëse PD s’ka përfituar asnjëherë asgjë nga protestat, Paloka tha:
Pa protesta nuk ke rrugë! Je jashtë rruge! Njerëzit janë sot në situatë diktature, pëshpërisin në vesh kur flasin kundër Ramës. Kanë frikë ta shprehin. Prandaj them, absolutisht duhet radikalizuar.
Gjatë intervistës me gazetaren Elona Meço, kryetari i Këshillit Kombëtar të Rithemelimit, foli edhe për vizitën e pritshme në Tiranë të sekretarit amerikan të Shtetit, Antoni Blinken, i cili shpalli Sali Berishën non grata në maj 2021.
Deputeti i PD u përket atyre politikanëve që shpresojnë se me rikthimin e Donald Trump diçka mund të ndryshojë në politikën amerikane për Shqipërinë dhe opozitën, pasi besojnë se shpallja non grata nga administrata aktuale ka ndodhur për shkak të lobimit të Edi Ramës përmes George Soros.
“Nuk është sekret që Soros kontrollon një pjesë të Departamentit të Shtetit. Uroj që fitorja e Trumpit të na kthejë dhe Amerikën që adhurojmë. Por dua të theksoj se, nëse ne presim që të na e sjellin ndryshimin ndërkombëtarët, pa lëvizur ne, atëherë jemi duke fjetur si Luli.
Edhe kur të vijë Trump, po s’lëvizëm ne, asgjë nuk ndodh. Do të ndikojë, sepse, për fat të mirë, Trump ka një konflikt me Sorosin dhe mund të na japë një dorë, po nuk pres që, pa lëvizur ne, të ndodhë gjë”, tha Edi Paloka në emisionin “Pa Censurë”.