Kosova
Edhe Britania vendos kushte ndaj Kosovës, asociacioni duhet tani
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Neil Holland, në seancën ku u diskutua raporti gjashtëmujor i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ka theksuar se Kosova duhet të përmbush detyrimet e saj nga Marrëveshja e Brukselit/Ohrit me theks të veçantë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Diplomati britanik është shprehur i shqetësuar për mungesën e progresit në dialogun ndërmjet Kosovë dhe Serbisë, mungesë kjo e cila ka implikime negative për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
“Ne inkurajojmë të dyja palët që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe të përmbushin detyrimet e tyre përkatëse, duke përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe” – deklaroi Holland.
Mbretëria e Bashkuar, sipas tij, do të vazhdojë të inkurajojë Kosovën që të sigurojë që komunitetet joshumicë të mund të luajnë një rol të plotë dhe të barabartë në të ardhmen e vendit.
Duke folur për bojkotin e serbëve në procesin e votimit për largimin e kryetarëve shqiptar nga Veriu i Kosovës, Holland, ka vlerësuar se serbët e Kosovës duhet të jenë të lirë të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike dhe të integrohen më tej në shoqërinë kosovare. Ai gjithashtu i ka bërë thirrjes Serbisë që të coje perpara drejtesise ata që janë përgjegjës për sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator.