Politike
Balla fton të rinjtë t’i bashkohen Akademisë së Sigurisë: Policia e Shtetit ka rol kyç…
Ministri i Brendshëm Taulant Balla ftoi të rinjtë e të rejat të afrohen dhe provojnë mundësinë për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit, por edhe Administratës Publike, pasi në këtë mënyrë mund të ecin në karrierë, sigurojnë të ardhmen, por edhe të kontribuojnë në mirëqeverisjen e vendit e cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve.
Ftesën, ministri Balla e bëri gjatë një takimi në ambientet ku po zhvillohet panairi “Java e Administratës Publike”, në një panel me nxënës të shkollës së mesme “Petro Nini Luarasi”, në kryeqytet.
“Një aspekt i rëndësishëm – theksoi Ministri, – është edhe rritja e mirëqeverisjes dhe po ashtu modernizimi i administratës sonë publike. Më lejoni të ndaj një shifër, që vetëm në pak javë ne kemi përfunduar një proces të ri rekrutimi dhe sikurse i kemi dhënë mundësi promovimit dhe ngritjes në detyrë 7 punonjësve për të garantuar që kushdo që hyn në administratën publike, duhet të ketë të garantuar edhe promovimin ecjen përpara në karrierë dhe po ashtu kemi 9 vende të reja të shpallura vakante, të cilat ofrojnë mundësi të reja për të rinj dhe po ashtu edhe mundësi për profesionistët e kualifikuar.”
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Ministri i Brendshëm u fokusua te Policia e Shtetit dhe apeli për të rinjtë që të provojnë shansin për të studiuar në Akademinë e Sigurisë dhe më pas për t’u bërë pjesë e strukturave të policisë.
“Policia e Shtetit ka një rol kyç, sa i përket mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të qytetarëve tanë. Ne kemi mundësi t’i ofrojmë çdo të riu dhe çdo të reje, përmes pranimit në Akademinë tonë të Sigurisë, jo vetëm arsimin falas, jo vetëm akomodimin falas, jo vetëm ushqimin, por edhe mbështetjen financiare gjatë gjithë periudhës,” – nënvizoi Balla.
Ai foli rreth mundësive që ofron Akademia e Sigurisë.
“Ta konsideroni, vazhdimin e studimeve tuaja, në Akademinë e Sigurisë, i cili si institucion i arsimit të lartë, ofron arsim cilësor dhe mundësi të shumta për zhvillimin tuaj qoftë në aspektin profesional, por edhe në atë personal. Duke ndjekur këtë rrugë, ju do të keni mundësi të jeni jo vetëm pjesë e organizatës së Policisë së Shtetit, por edhe të ndërtoni një karrierë dhe të ardhme më të mirë tuajën në Shqipëri,” – u shpreh Ministri i Brendshëm.
Deklarata e plotë:
16 vite më parë kur Presidenti Amerikan Barak Obama, asokohe senator, kandidonte për t’u zgjedhur President dhe një prej tri çështjeve kryesore që ai kishte zgjedhur për t’u fokusuar në fushatën e tij, ishte rienergjizimi i shërbimit publik. Duke përdorur një fjalë tjetër, freskimin e shërbimit publik, gjej rastin ta përshëndes Panairin e Administratës Publike, e cila synon të rienergjizojë dhe të rrisë eficencën në administratën tonë publike.
Kjo javë, e cila ka marrë edhe emrin “Java e Administratës Publike”, ku kemi vendosur që përveç këtij panairi shumë kuptimplotë, të kemi edhe kampionin tonë, punonjësin më të mirë të administratës, është shoqëruar edhe me aktivitete sportive, kryesisht volejboll, edhe pse ne të Ministrisë së Brendshme, djem me djem luajmë futboll.
Ky event i mbështetur edhe nga Këshilli i Evropës, synon të prezantojë punën dhe funksionet e çdo institucioni dhe të promovojë mundësitë e punësimit të qytetarëve në administratën publike, me një fokus të veçantë të rinjtë.
Një aspekt i rëndësishëm është edhe rritja e mirëqeverisjes dhe po ashtu modernizimi i administratës sonë publike. Më lejoni të ndaj një shifër që vetëm në pak javë ne kemi përfunduar një proces të ri rekrutimi dhe sikurse i kemi dhënë mundësi promovimit dhe ngritjes në detyrë të 7 punonjësve për të garantuar që kushdo që hyn në administratën publike, duhet të ketë të garantuar edhe promovimin ecjen përpara në karrierë dhe po ashtu kemi 9 vende të reja të shpallura vakante, të cilat ofrojnë mundësi të reja për të rinj dhe po ashtu edhe mundësi për profesionistët e kualifikuar.
Nga ana tjetër Policia e Shtetit, sikurse e dini ka një rol kyç, sa i përket mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të qytetarëve tanë dhe sikurse e prezantoi edhe drejtori, ne kemi mundësi t’i ofrojmë çdo të riu dhe çdo të reje përmes pranimit në Akademinë tonë të Sigurisë, jo vetëm arsimin falas, jo vetëm akomodimin falas, jo vetëm ushqimin, por edhe mbështetjen financiare gjatë gjithë periudhës dhe kjo është një ofertë shumë e mirë dhe që kam besim që edhe djem, apo vajza të kësaj audience të nderuar, të zgjedhin pas përfundimit të maturës shtetërore, të bëhen pjese e Akademisë së Sigurisë, për të shërbyer më pas, si pjesë e organizatës së Policisë së Shtetit.
Misioni i Policisë së Shtetit është një mision fisnik dhe i pazëvendësueshëm, sa i përket garantimit të sigurisë. Të jesh pjesë e Policisë së Shtetit do të thotë të ndihmosh kundër krimit dhe korrupsionit, të mbrosh të drejtat dhe liritë e qytetarëve dhe të kontribuosh në një shoqëri më të drejtë dhe më të siguritë.
Për gjeneratat e reja Policia e Shtetit ofron jo vetëm një mundësi, por edhe një karrierë të qëndrueshme, por edhe një platformë për të zhvilluar dhe promovuar vlera dhe aftësi që mund t’ju shërbejnë në çdo aspekt të jetës.
Ndikimi pozitiv që ka Policia e Shtetit në komunitet dhe bashkëpunimin me qytetarët, janë themelet mbi të cilat ne ndërtojmë të ardhmen. Për të rinjtë që duan të bëjnë një ndryshim të shpejtë, Policia e Shtetit është vendi është organizata ku ju mund të realizoni këtë ambicie duke kontribuar në përmirësimin e cilësisë së jetës edhe për të gjithë qytetarët e tjerë.
Duke përfituar nga rasti i prezencës së të rinjve gjimnazistë, dua të ripërsëris ftesën time, ta konsideroni, vazhdimin e studimeve tuaja, në Akademinë e Sigurisë, i cili si institucion i arsimit të lartë, ofron arsim cilësor dhe mundësi të shumta për zhvillimin tuaj qoftë në aspektin profesional, por edhe në atë personal.
Duke ndjekur këtë rrugë, ju do të keni mundësi të jeni jo vetëm pjesë e organizatës së Policisë së Shtetit, por edhe të ndërtoni një karrierë dhe të ardhme më të mirë tuajën në Shqipëri.
Në përmbyllje dua të shpreh të gjitha falënderimet e mia, për gjithë ata në kontribuojnë në përmirësimin e shërbimeve publike dhe po ashtu një falënderim të posaçëm për gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët çdo ditë bëjnë me përpikëri detyrën që iu ka ngarkuar ligji dhe po ashtu, t’ju garantoj se qeveria e Kryeministrit Rama, i kushton një vëmendje të veçantë forcimit, rienergjizimit të administratës publike, pa harruar në asnjë moment edhe trajtimin e duhur financiar të të gjithë punonjësve të administratës, sikurse është edhe angazhimi ynë, i cili tashmë, ka marrë formë, për të pasur një trajtim të mire financiar edhe për sa i përket pagës në të gjitha nivelet e administratës, përfshirë këtu edhe Policinë e Shtetit, apo institucionet e tjera të sigurisë, sikurse janë Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, Garda e Republikës, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dhe po ashtu Shërbimi Zjarrfikëses dhe Shpëtimit.
Po ashtu ne mund të bëjmë një ndryshim të rëndësishëm në shoqërinë tonë duke punuar për një të ardhme më të sigurtë dhe të drejtë për të gjithë. Vetëm përpara dhe shumë faleminderit!