Shkrime
Një këshillë e vlefshme për ata që nuk i njohin shqiptarët
Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi
Nëse i shkel në dinjitet, pra në krenari, shqiptarët nuk të falin. Me të mirë ta falin gjysmën e pasurisë. Aq bujarë janë ata. Por dhe Albini bën pjesë tek të pabindurit. As Kurti nuk thyhet. Nuk tutet. Nuk bën Pazar me parimet, me territoret, me dinjitetin e tij si shqiptar e me dinjitetin kombëtar.
Shqiptarët janë një racë unike në botë. Të gjitha kombet dhe popujt janë unike në llojin e vet. Por te shqiptarët ka disa veçanti të papërsëritshme ose së paku me të theksuara. Nuk e kam fjalën për një kategori në minorancë, që janë të gatshëm të shesin gjithçka, dinjitetin, integritetin, familjen, nderin e deri atdheun për interesa personale dhe kësisoj bëhen urë në marrëdhëniet me më të fuqishmit, sidomos me ata që kanë në dorë fate njerëzish e kombesh. Fjala është për shumicën dërmuese të shqiptarëve, të cilët venë mbi gjithçka identitetin e tyre, për ata që më së pari vjen familja dhe atdheu e më pas paraja dhe privilegjet.
Shqiptarët janë krenarë. Krenaria e tyre buron më shumë nga mitet e krijuara, sesa nga historia reale që kanë kaluar. Njerëzit krenarë nuk mundesh t’i thyesh e t’i përkulësh, siç përkul çekiçi në farkë hekurin. Shqiptarët janë popull që vriten për një fjalë goje dhe kjo shpesh shpjegohet me “kokëfortësinë” e tyre. Por nuk është kjo arsyeja. Shkaku i vërtetë i reagimit impulsiv të shqiptarit është dinjiteti dhe personaliteti i tij. Fyerjen nuk e duron, edhe nëse duron torturën!
Shqiptari gati të sakrifikohet e të mos dorëzohet! Nuk i kushton asgjë të ta japë paketën ose kutinë e duhanit, por ama kur e falë vetë, jo t’ia marrësh me pahir! Kur dikush tenton t’i marrë diçka me dhunë shqiptarit, atij i shumëfishohen fuqitë e kundërshtimit. Sepse shqiptari beson ndoshta më shumë se duhet te e drejta, te e vërteta.
Shqiptari pra, nuk duron arrogancën dhe imponimin. Nëse ke argumente dhe e bind atë, je i fituar! Nëse jo, atëherë je i humbur. Nuk mjafton që shqiptarit t’i thuash do bësh këtë ose atë! Nuk të beson pse i thua, hajde vepro kështu si të them unë, edhe pse bëhesh garant i suksesit të tij. Jo. Atij i duhen dhënë fakte, argumente të arsyeshme e bindëse se ajo që po i rekomandon është e drejtë e në të mirën e tij.
Shqiptarët janë dinjitoz në përgjithësi. Nuk përulen. Për këtë arsye i quajnë edhe “të mbrapshtë”! Edhe Albini bën pjesë tek të pabindurit. Prandaj dhe ndërkombëtarët në vend të merren me ndryshimin e emrave që drejtojnë shtetin, gjithnjë në favor të të bindurve të korruptuar, duhet të gjejnë mënyrën për mirëkuptim e bashkëpunim me shqiptarët “e pabindur”! Se edhe t’i shpallësh non-grata, ata nuk thyhen!