Politike
‘Jemi shpresa e fundit’/ Berisha: Historia s’do na falë nëse nuk shpëtojmë shqiptarët
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se është besimplotë që PD do t’i realizojë qëllimet e veta. Ai tha se forca politike që drejton është shpresa e fundit dhe kurrë historia nuk do t’i falë, nëqoftëse ata, sipas tij, nuk shpëtojnë shqiptarët nga ajo që e quan narkodiktaturë. Berisha kujtoi dhe një herë aktin e shpalljes së Pavarësisë duke thënë se 28 nëntori sjell në mendje vështirësitë e jashtëzakonshme në të cilën Ismail Bej Vlora dhe bashkëpunëtorët e tij, guxuan, ndërkohë që i përkrahte vetëm një shtet në botë, kundër të gjithëve të ngrejë flamurin e Skënderbeut në Vlorë.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Të dashur miq! Diktaturat ka vetëm dy rrugë për largimin e tyre, ose me armë, ose me mosbindje civile dhe votë. Ne jemi Parti Demokratike, ne jemi parti jo e dhunës, ne jemi parti e vlerave, mosbindjes civile, votës së lirë. Rruga që kemi nisur është rruga drejt fitores. Hapa shumë të mëdha janë bërë, ishim forca politike, padrejtësisht më e izoluar në Europë, megjithëse mbronim vlerat më të çmuara evropiane në vendin tonë, por ne nuk u tërhoqëm.
Ne vazhduam të bindur se po mbrojmë jo vetëm vlera për shqiptarët, specifike, por dhe për të tjerët. Dhe sot mblidhemi në një kohë kur kemi marrë mbështetjen më të fuqishme ndërkombëtare në tërë ekzistencën tonë. Sot regjimi i Tiranës është ndëshkuar ndërkombëtar nga partitë e qendrës së djathtë, sa asnjë regjim tjetër, pas atij të Koresë së Veriut dhe ndonjë diktature tjetër. Por sot të gjitha këto janë frymëzim dhe kushtrim për ne. Të vazhdojmë sepse e vërteta është, jemi shpresa e fundit dhe kurrë historia nuk do të na falë, nëqoftëse ne nuk shpëtojmë shqiptarët nga kjo narkodiktaturë.
Kam shumë besim, jam besimplotë që ne do të realizojmë qëllimet tona. Kjo ditë po të rikthehesh 112 vjet më parë, me vështirësitë e jashtëzakonshme në të cilën Ismail Bej Vlora dhe bashkëpunëtorët e tij, guxuan, ndërkohë që i përkrahte vetëm një shtet në botë, kundër të gjithëve të ngrejë flamurin e Skënderbeut në Vlorë. Në rast se i rikujtojmë trashëgimninë tonë, luftërat e Skënderbeut ndër më të pabarabartat asgjë nuk mund të na pengojë ne, për të arkivuar Edi Ramën në analet e turpit të historisë dhe të regjimit të tij dhe për të rikthyer shqiptarëve, votën e lirë, dinjitetin, fitoren e opozitës. Edhe njëherë gëzuar Ditën e Flamurit. Është radha jonë, është radha jonë. Fitore, fitore!