Kosova
ALARM NE ISHULL/ Debat në parlamentin britanik për sigurinë në Kosovë
Ministri i Shtetit për Evropën, Stephen Doughty, ka theksuar rëndësinë e angazhimit të Mbretërisë së Bashkuar në ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë në Kosovë, duke bërë gjithashtu thirrje që Kosova dhe Serbia të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun për normalizimin e raporteve nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Në përgjigjen e tij ndaj pyetjes së deputetit laburist, Paul Foster, për rolin e Mbretërisë së Bashkuar në sigurinë e Kosovës, posaçërisht pas sulmeve të fundit në pjesën veriore të territorit kosovar, ai ka shtuar se ushtarët britanikë të Forcës së NATO-s (KFOR) luajnë një rol jetik në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt në mbarë Kosovën.
“Keni të drejtë për rolin dhe përgjegjësinë tonë historike në raport me Kosovën. Dhe me të vërtetë KFOR-i jep një kontribut jetik për të ruajtur një mjedis të qetë dhe të sigurt në Kosovë, dhe sigurisht trupat tanë luajnë një rol kyç në këtë. Ne angazhohemi shumë ngushtë me partnerët tanë në Kosovë dhe në rajon”, ka deklaruar ai.
Pyetja e deputetit Foster për ministrin Doughty ishte: “Në Kosovë takova presidentin dhe kryeministrin, të cilët ishin të shqetësuar për inkursionet në kufirin e tyre verior. A mund të jepni detaje rreth marrëveshjes bilaterale të sigurisë ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Ajo paqe u fitua me vështirësi, dhe ajo duhet të ruhet”.