Connect with us

Shkrime

Teatri i demokracisë me gjasme/ Parlamenti i kapriçove dhe tekave të Edi Ramës

Nga Andi Bushati

Kuvendi i Shqipërisë theu një tjetër rekord, kur një seancë debati mbi programin e qeverisë — e planifikuar për të zgjatur mbi 25 orë — u mbyll për 25 minuta. Deputetët socialistë nuk dëgjuan as kryeministrin, as ministrat e veçantë për objektivat e tyre konkrete, as oponencën që mund t’u bëhej atyre, por votuan si dele, duke krijuar një precedent të panjohur në këto tri dekada të postkomunizmit.

Ndonëse nuk ka shumë rëndësi, kronika e asaj që ndodhi mund të përmblidhet thjesht: kryeministri vendosi që për shou-n në Kuvend t’u drejtohej me një fjalim edhe ministrja e krijuar me inteligjencë artificiale, “Djella”. Opozita protestoi, duke e quajtur këtë shfaqje në kundërshtim me rregulloren e Parlamentit. Ata filluan të bërtasin dhe të hidhnin fletë mbi tribunën e qeverisë.

Rama, i bezdisur, i kërcënoi: “Nëse s’më lini të vijoj, do shkoj direkt në votim”. Pra, për të nuk kishte rëndësi as detyrimi për të shpalosur programin, as interesi i qytetarëve për ta dëgjuar atë, as seanca — gjoja demokratike — e diskutimeve. Mesazhi ishte i qartë: “Nëse s’ju pëlqen skenari im, unë jua heq dhe të drejtën e prezencës në Parlament”, duke e kthyer atë thjesht në një institucion formal ku vetëm votohet.

Kështu u bë. Socialistët ngritën 82 kartona. Shqipëria u bë me program qeverisës katërvjeçar dhe të gjithë u shpërndanë.

Fakti se shefi i qeverisë u mërzit nga ndërhyrjet jashtë radhe dhe zëri i lartë i Gaz Bardhit dhe Klevis Balliut, ishte i mjaftueshëm që Taulant Balla ta kërkonte, Niko Peleshi ta zbatonte dhe të gjithë të tjerët ta votonin asgjësimin e një seance të rregullt, duke e kthyer Kuvendin në noter formal të tekave të Edi Ramës.

Natyrisht, në një situatë të tillë do të jenë të shumtë ata që do të thonë se ishte më keq që ndodhi kështu.

Se një parlament i tillë, që shërben vetëm për të ngritur kartonat, është tejet i ngjashëm me atë të kohës së diktaturës.

Se opozitës nuk iu la mundësia të thoshte fjalën e saj në tribunën më të rëndësishme ku i dëgjohet zëri.

Se publiku humbi mundësinë të informohej me pluset dhe minuset e asaj që e pret në këto katër vite.

Por të gjitha këto janë argumente që kanë vlerë vetëm për indiferentët apo të verbërit që jetojnë me iluzionin se ne gjendemi ende në demokraci.

Po, në një sistem të tillë, ky debat do kishte vlerë. Por ama në regjimin autokratik nën të cilin ndodhemi sot — ku nevojat personale dhe kapriçot apo tekat e një njeriu të vetëm kanë marrë fuqinë e ligjit — ajo që ndodhi në Kuvend, këtë të enjte, është fiks gjëja e duhur.

Nuk ka rëndësi nëse ajo ishte një tentativë kurthi nga Edi Rama në të cilin opozita ra brenda me të dyja këmbët, apo e kundërta: që ishte PD-ja ajo që e provokoi këtë situatë të pazakontë.

Përfundimi është i njëjtë: seanca ku duhej të diskutohej buxheti tregoi se ne nuk kemi më një parlament normal.

A mund të gjendet një i tillë, në një vend që konsiderohet demokratik, që t’i kushtojë programit të qeverisë vetëm disa minuta?

A mund të gjendet një parlament ku një “qejfprishje” e kryeministrit përcakton vijimin e diskutimeve dhe debateve?

Në këtë kuptim, ajo që ndodhi sot është pasqyra më reale e asaj që po jetojmë.

Në një parlament të dalë nga farsa e 11 majit — ku nuk do të mungojnë skena të përdhosjes së opozitës si në të kaluarën (mohim antiligjor për ngritje komisionesh hetimore dhe zhvillim mocionesh apo interpelancash) — nuk ka pse të ruhet një fasadë e rreme normaliteti.

Prandaj, ata që i qajnë hallin opozitës se mbeti pa folur, apo se humbi mundësinë e një tribune nga ku mund të shndriste me kriticizmin e saj, e kanë gabim.

Detyra reale e PD-së — të cilën nuk dihet sa do të ketë këllqe ta realizojë — nuk është të shërbejë si alibi se jetojmë ende në demokraci, por të shkallmojë me çdo mjet mbajtjen në këmbë të kësaj fabule të sforcuar.

Këtë herë duhet pranuar se këtë qëllim e arriti, paçka se më shumë sesa për meritën e saj, falë humorit të prishur të një autokrati tekanjoz, të cilin nuk e mbajnë më as nervat për të vazhduar teatrin e demokracisë me gjasme.

Advertisement