Connect with us

Politike

Nesho: SPAK u krijua për të mbajtur Ramën në pushtet, dosja Balluku po përdoret si digë mbrojtëse

Agim Nesho u shpreh se institucione kyçe të shtetit, përfshirë SPAK, disa ministri dhe vetë strukturat e qeverisë, po përdoren për të mbrojtur interesa të ngushta politike, duke cenuar funksionimin normal të drejtësisë dhe të shtetit ligjor. Ai kritikoi mënyrën se si hetimet dhe projektet e rëndësishme shtetërore shpesh instrumentalizohen për t’u shërbyer individëve në pushtet, duke lënë pas dore përgjegjësinë ndaj qytetarëve. Nesho paralajmëroi se kjo kapje e institucioneve jo vetëm që dëmton besimin e publikut, por edhe cenon sovranitetin dhe integritetin e vendit, duke nënvizuar se pa reforma urgjente dhe një kontroll të pavarur, interesi publik rrezikon të mbetet nën kontrollin e politikës dhe jo i shtetit.

Pjesë nga deklarata:

Unë dua të nis nga kjo e fundit. Domethënë, shpjegimi i zotit Buzhala bën sens, po ta shikosh në mënyrë të shkëputur këtë veprimtari të fundit. Por janë disa, disa procese që kanë ndodhur kohët e fundit, të cilat sigurisht kanë influencuar edhe raportet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Europën dhe me Shqipërinë, dhe duket që kompleksiteti i angazhimit të Amerikës në luftërat ndërkombëtare dhe botërore e ka hequr vëmendjen.

Por, a ekziston ndonjë ekspertizë në ndihmë të SPAK-ut si një institucion? Sigurisht që ekziston, bashkë me këshilltarët e tjerë europianë. Unë jam plotësisht dakord me zotin Pekën që SPAK-u është nisur që nga krijuesi i tij, i cili kishte si qëllim t’i jepte mundësi Ramës të mbetej në pushtet. Dihet vizita e parë e Sorosit. Unë mendoj që ka pasur edhe një, në thonjëza, një mirëkuptim me Lul Bashën në atë kohë, i cili bëri vizitë përveç Ramës dhe te Lul Basha, për të garantuar që ky institucion duhet përkrahur nga të dy, sepse të dy do të jenë pasuesit e njëri-tjetrit kur të mbarojnë punën.

Pra, ideja e Sorosit, që çoi për ndërtimin e një institucioni të drejtësisë së pavarur, është realizuar; nuk është eksperimenti i parë në Shqipëri. E ka bërë më parë në Gjeorgji. Vetëm pse? Sepse Shakëshvili ishte anëtar i bordit të fondacionit Soros. U bë e njëjta përpjekje edhe në vende të tjera ku institucioni i Open Society-t, i Sorosit, kontrollonte jetën politike, si në Ukrainë dhe në vende të tjera. E ka bërë Chavezi drejtësinë vetëm për të akumuluar pushtetin politik të tij.

Dhe a ishte Yuri Kim-i në fillim në funksion të kësaj gjëje? Ishte. Sepse ajo administratë, e tha edhe zoti Bushati, kishte si qëllim që paqen në Ballkan ta realizonte me dy figura të forta për interesat e tyre dhe të grupeve të interesit, që janë fondacioni në fjalë, për të ndërtuar një të ashtuquajtur Jugosllavi të re, një Jugosllavi perëndimore, Euro-Jugosllavia, që me pak fjalë është funksionimi i Ballkanit të Hapur me dy kombet kryesore, të cilët do të jepnin paqe dhe stabilitet.

Dhe pse ishte e rëndësishme që në këtë rast të merrej një person që kishte lidhje dhe të pranonte këtë gjë? Sepse figura e Sali Berishës kishte treguar që kishte mbajtur qëndrime parimore në lidhje me çështjen kombëtare. Ata kapën një personalitet tjetër, të Iravës, i cili mund t’i mundësonte bashkimin dhe lojën e përbashkët me Vuçiçin. Dhe ky është gjithë angazhimi dhe loja e drejtësisë në Shqipëri.

Tani, për të thënë diçka lidhur me ngjarjet aktuale, mendoj që është vetëm një personazh dhe ky personazh është autokrati, dhe jam dakord me ju, me Bushatin dhe Buzhalën që nuk mund të ketë një person tjetër, sepse përndryshe nuk do të ishte ky njeriu që drejton gjithë këtë kastë të Rilindjes.

Por, unë mendoj që ka vetëm një personazh i cili, për të cilin punojnë të tjerët. Domethënë, po të shikosh si Veliaj, të gjithë lietenantët e tjerë, Beqen e të tjerë, kanë punuar për personin që ka vendosur në fund. Ky nuk firmos vetë, por ka nënkryeministrat dhe ministrat e tij që bëjnë ato punë që ai vendos. Prandaj, edhe në raportin midis Ballukut dhe këtij personi, është ai që luan lojën.

Dhe unë mendoj që tani vijmë te skenari konkret. Rama do të fryjë çështjen Balluku si një pengesë, siç e tha zoti Bushati, dhe si një digë për të mos kaluar te ai. Po pse e fryjmë kaq shumë? E fryjmë kaq shumë që të merren me të. Prandaj i jep edhe pushtet politik, prandaj i jep edhe ministra, punonjës policie dhe të tjerë, që fenomeni të mos tentojë te Rama, por të tentojë te një fenomen që qenka i çuditshëm: një zonjë Balluku e cila drejton gjithë administratën e vendit.

Kjo nënkupton që ka qenë ajo arkitektja, e cila ka qenë një njeri besnik, ka bërë ato çfarë i është thënë, mund të ketë marrë pjesën e saj, padyshim, por përfituesi kryesor i gjithë skemës është Edi Rama.

Prandaj kjo është çështja kryesore. Dhe duke u marrë me çështjen Balluku, ky kërkon kohë për të treguar në këtë pasivitet të komunitetit ndërkombëtar dhe të luftërave, të zbusë situatën dhe të krijojë një imazh tjetër për veten e tij.

Prandaj e fryn çështjen Balluku për mua. Pse e hedh ky çështjen e referendumeve? E mban mend referendumet? Janë në demokraci direkte. Ç’lidhje ka Edi Rama me demokracinë direkte? Pse e ka futur? Domethënë, fryrja e çështjes Balluku dhe marrja e kompetencave të saj është sikur të kthehej në momentet e para të 2013-ës, kur ishte një sportist, një piktor, një njeri liberal që do t’i sillte ndryshime Shqipërisë, dhe udhëheqësit botërorë qeshnin me shakatë e tij. Ky është projekti i Ramës. Rama kërkon kohë; është i zhytur dhe është personi që ka krijuar gjithë këtë skemë dhe si i tillë kërkon të nxjerrë një paralele si një digë për të mbrojtur veten e tij.

Advertisement