Connect with us

Politike

Klejd Këlliçi: Shtyrja e zgjidhjes vetëm sa do ta përshkallëzojë krizën

Klejd Këlliçi e ka cilësuar protestën qytetare si një lëvizje të mirëfilltë shoqërore, e cila ka tejkaluar fazën e një reagimi spontan dhe ka marrë përmasa të gjera horizontale, duke përfshirë grupe të ndryshme shoqërore me ndjeshmëri dhe interesa shpeshherë edhe kontradiktore mes tyre.

I ftuar në emisionin Jashtë Kontrollit në NTV, Këlliçi tha se protesta po ndjek dinamikat klasike të lëvizjeve shoqërore, me fazat e ngritjes, kulmimit dhe rrezikun e burokratizimit, i cili sipas tij mund të çojë në zbehjen e energjisë fillestare.

Sipas tij, një nga sfidat kryesore të momentit është rritja e vazhdueshme e kërkesave, gjë që mund të sjellë edhe thellimin e kontradiktave të brendshme brenda lëvizjes. Këlliçi vlerësoi se protesta do të ishte më e konsoliduar nëse do të fokusohej te disa kërkesa konkrete, si ndalimi i lejeve të ndërtimit në zonat e mbrojtura dhe shfuqizimi i ligjit për investitorët strategjikë.

Ai argumentoi se mobilizimi i tanishëm rrëzon perceptimin e përhapur se shoqëria shqiptare është pasive dhe e paaftë për reagim. “Kjo shoqëri ka gjetur forcën dhe moralin për të reaguar”, tha ai, duke theksuar se pjesëmarrja masive tregon ekzistencën e një horizonti të qartë pritshmërish dhe kërkesash.
Këlliçi paralajmëroi se shtyrja e zgjidhjes së problemeve që kanë nxitur protestën mund të çojë në përshkallëzim të mëtejshëm të situatës. Sipas tij, kërkesat që lidhen me ligjin për investitorët strategjikë dhe mbrojtjen e hapësirave publike janë legjitime dhe burojnë nga shqetësime reale të qytetarëve.

Ai u ndal veçanërisht te ajo që e quajti “gardhimi i vazhdueshëm i jetës publike”, duke argumentuar se qytetarët shqiptarë po përballen me kosto gjithnjë e më të larta për të përdorur hapësira dhe shërbime që dikur konsideroheshin të përbashkëta.

Në analizën e tij, Këlliçi theksoi edhe një fenomen të rëndësishëm social: shkëputjen e brezit të ri nga partitë politike tradicionale. Sipas tij, shumica e të rinjve nga mosha 18 deri në 30 vjeç nuk kanë lidhje organike me partitë, por mobilizohen rreth kauzave konkrete dhe çështjeve që i prekin drejtpërdrejt.
“Kjo nuk është vetëm një dukuri shqiptare, por një fenomen që po shfaqet në shumë vende. Brezi i ri nuk angazhohet më në mënyrat tradicionale politike, por aktivizohet për kauza që i konsideron të drejta dhe të rëndësishme”, u shpreh ai.

Sipas Këlliçit, mënyra se si do të trajtohen kërkesat e protestuesve në javët në vijim do të përcaktojë nëse lëvizja do të arrijë rezultate konkrete apo do të hyjë në një fazë të re përballjeje me institucionet.

Advertisement