Kosova
Vuçiç nxjerr prapaskenën e Kosovës: Ja kush e ndali njohjen nga Bosnja
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se Bosnja dhe Hercegovina nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës kryesisht për shkak të qëndrimit të Republikës Srpska, entitetit me shumicë serbe brenda këtij shteti.
Vuçiç tha se Beogradi i është mirënjohës Republikës Srpska për marrëdhëniet e afërta me Serbinë dhe për mbështetjen që, sipas tij, ajo i ka dhënë qëndrimit serb lidhur me çështjen e Kosovës. Ai theksoi se pozicioni i këtij entiteti ka qenë faktor i rëndësishëm në ruajtjen e politikës së Bosnjës dhe Hercegovinës për të mos e njohur Kosovën.
Gjatë deklaratës së tij, presidenti serb u ndal edhe te veprimet e tij politike, duke thënë se nuk ka lejuar, sipas tij, dorëzimin e serbëve në Tribunalin e Hagës, ndarjen e territoreve të Serbisë apo dëbimin e popullit serb.
Vuçiç kritikoi gjithashtu disa figura politike që, sipas tij, paraqiteshin si nacionalistë të mëdhenj, por ndryshonin qëndrime kur përballeshin me presione ndërkombëtare.
Duke folur për termin “serbët e Kroacisë”, ai tha se ky përcaktim nuk duhet të shihet vetëm si një përkatësi gjeografike, por si një mënyrë për ta paraqitur komunitetin serb si pjesë të një strukture tjetër shtetërore.
“Ne nuk jemi serbë të dikujt tjetër, por vetëm serbë”, u shpreh Vuçiç, duke shtuar se për dekada, sipas tij, janë heshtur çështje të identitetit kombëtar.
Ai foli edhe për situatën në Mal të Zi, duke pretenduar se një pjesë e madhe e qytetarëve flasin gjuhën serbe, por se ajo nuk ka statusin e gjuhës zyrtare.