Kronike
Do të bënin atentat dhe u kapën me armë/ Jepen masat e sigurisë për 5 të arrestuarit
Gjykata ka caktuar masat e sigurisë për pesë personat e arrestuar mbrëmjen e së hënës në fshatin Gjashtë të Sarandës, ku policia sekuestroi dy armë zjarri pistoletë, njëra prej të cilave me silenciator.
Në masën “arrest në burg” u lanë 26-vjeçari Alfred Kaja dhe 33-vjeçari Sidorel Moriseni, të dyshuar për veprën penale “armëmbajtje pa leje”. Ndërkohë, tre të rinjtë e tjerë, Vitrin Hoxha 21 vjeç, Franko Bobja 22 vjeç dhe Vionis Poka 31 vjeç, u vendosën në masën “arrest në shtëpi” për akuzën e “moskallëzimit të krimit”.
Sipas hetimeve paraprake, dy të parët u kapën nga policia me armë zjarri, ndërsa tre të tjerët ndodheshin me ta në momentin e ndërhyrjes. Fillimisht u ngrit dyshimi se grupi mund të ishte përgatitur për një ngjarje kriminale, por gjatë kontrolleve nuk u gjetën sende të tjera që mund të lidhen me një atentat, si maska, doreza apo materiale të tjera.
Hetuesit kanë vlerësuar se nuk ka prova që të tregojnë për një plan konkret për kryerjen e një krimi të rëndë. Megjithatë, burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se po verifikohet pista e një përfshirjeje të mundshme në trafikimin ose shitjen e armëve të zjarrit.
Pesë të arrestuarit, banorë kryesisht të zonave të Tiranës dhe Rrogozhinës, nuk rezultojnë me precedentë të rëndësishëm penalë. Hetimet vijojnë për të zbardhur origjinën e armëve dhe qëllimin e mbajtjes së tyre.