Aktualitet
“Nuk zgjodha vendin më të mirë për t’u fshehur”, gjykata franceze lë në qeli Ermal Beqirin
Drejtësia franceze ka vendosur të mbajë në paraburgim biznesmenin shqiptar Ermal Beqiri, i cili është një nga personat e kërkuar nga autoritetet shqiptare në kuadër të hetimeve për tenderat e AKSHI-t.
Vendimi është marrë ndërsa në Francë vijon procedura për shqyrtimin e kërkesës së Shqipërisë për ekstradimin e tij.
Gjykata rrëzon kërkesën për lirimin
Sipas mediave franceze, Beqiri kishte kërkuar që të lirohej, duke pretenduar se ndodhej në paraburgim në mënyrë të padrejtë. Kërkesa e tij, megjithatë, nuk është pranuar nga gjykata.
Prokuroria franceze ka kundërshtuar lirimin e biznesmenit, duke argumentuar se pasuria dhe mundësitë e tij për të udhëtuar, përfshirë edhe licencën e pilotit, mund ta ndihmonin të largohej shpejt nga territori francez.
“Mund të kisha shkuar edhe në Dubai”
Gjatë seancës, Beqiri ka folur edhe për lidhjen e tij me Francën, ku tha se kishte mbërritur që në moshën 16-vjeçare.
Ai ka deklaruar se ka lidhje të forta me vendin dhe, me tone ironike, është shprehur se nëse do të kishte dashur të fshihej, mund të kishte zgjedhur edhe vende të tjera.
“Arrita në Francë në moshën 16 vjeç, kam familjen time të dytë këtu. Mund të kisha shkuar kudo, madje edhe në Dubai, por e dua Francën”, është shprehur Beqiri.
U gjobit me 7 mijë euro për fluturimin mbi central
Çështja e tij në Francë lidhet edhe me një incident gjatë një fluturimi. Përballë autoriteteve franceze, më 27 korrik, Beqiri ka deklaruar se kishte gabuar në lartësinë e fluturimit dhe se në momentin kur kaloi mbi një central po fliste në telefon me nënën e tij.
Në kuadër të procedurës së pranimit të fajësisë, ai u dënua me një gjobë prej 7 mijë eurosh.
Edhe pse pas përfundimit të kësaj procedure pritej që të lirohej, biznesmeni nuk është larguar nga burgu i Beauvais. Shkak është bërë kërkesa e autoriteteve shqiptare për ekstradimin e tij.
I kërkuar në Shqipëri për dosjen e AKSHI-t
Në Shqipëri, Ermal Beqiri është shpallur në kërkim në kuadër të dosjes së SPAK për tenderat e AKSHI-t.
Autoritetet shqiptare e akuzojnë për vepra që lidhen me mashtrimin dhe grupin e strukturuar kriminal. Hetimet kanë në qendër dyshimet për manipulimin e procedurave të prokurimit dhe përfshirjen e personave të ndryshëm në një skemë që lidhet me tendera me vlera të konsiderueshme financiare.
Tashmë, fati i Beqirit do të varet edhe nga procedura që po zhvillohet për kërkesën e ekstradimit të tij drejt Shqipërisë.