✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

SOT PROTESTA KOMBETARE, KERKOHET QEVERI TEKNIKE

Në protestën kombëtare që po mbahet sot në Tiranë, Lëvizja Aleanca Kombëtare, ka dalë me 10 kërkesa, adresuar qeverisë.

Më poshtë Aleanca rendit pikat:

-Shqipëria duhet me qenë shteti i shqiptarëve dhe jo i maskarenjve, i të huajve dhe i tradhëtarëve, që ne i kemi kaq të shumtë dhe që shiten për dy lekë e për një mirënjohje të të huajve.
-Zgjidhja është që ta bëjmë vetë shtet-kombin e shqiptarëve, me shqiptarët dhe për shqiptarët. Kjo është rruga më e vështirë, por është edhe e vetmja rrugë e duhur.
-Ne na duhet të ndërtojmë një shtet-komb të ngritur mbi një interes të qartë kombëtar, që duke respektuar pozicionimet strategjike do të na ofrojë të ardhmen që meritojmë, si gjithë kombet e tjera të përparuara e të begata të botës, bazuar në pikat e mëposhtme

1. Thirrja e Asamblesë Kushtetuese, që të rishkruajë Kushtetutën e Shqipërisë duke i rikthyer kombit shqiptar sovranitetin dhe vendimmarrjen.
2. Krahas referendumit shfuqizues/abrogativ të vendoset edhe referendumi propozues për çështje të caktuara.
3. Ndryshimi i sistemit elektoral dhe kodit zgjedhor në funksion të përfaqësimit të gjithë shtresave shoqërore.
4. Krijimi i një qeverie tranzitore të formuar nga ekspertët më të mirë pa parti, me pëlqimin e Parlamentit Shqiptar.
5. Kalimi në veting të menjëhershëm i gjithë klasës politike.
6. Sekuestrimi dhe konfiskimi i gjithë pasurive të pajustifikuara të politikanëve dhe zyrtarëve të lartë.
7. Ashpërsimi i ndëshkimeve penale e administrative për çdo formë korrupsioni, si dhe ndëshkimi me konfiskim i çdo pasurie të pajustifikuar.
8. Ndëshkim i ashpër i ekonomisë kriminale kudo që gjendet dhe me çdo formë; heqje licensash, sekuestrime, konfiskime deri në burgosje.
9. Reformë rrënjësore dhe përfundimtare për çështjen e pronave.
10. Ndërtimi i strukturave funksionale të një sistemi të partive politike, i cili të avancojë e të mbrojë interesat e bashkësisë ligjore-politike me mjete legjitime demokratike.

“Sot më shumë se kurrë duhet të drejtohemi nga interesi kombëtar shqiptar, si komb, në ndërtimin e shtetit shqiptar, qoftë edhe vetëm si një projekt i përkohshëm politik për të arritur atë që dëshirojmë: bashkimin, pavarësimin e vetëqeverisjen e të gjithë shqiptarëve në shtetin e tyre ashtu si e dëshiruan rilindasit tanë të mëdhenj, të cilët na kanë treguar rrugën, që nuk e kemi ndjekur, por që është e vetmja zgjidhje për të mirën tonë, të brezave që vijnë dhe të kombit tonë të lashtë, të lirë, të nderuar dhe të respektuar, në shtet-kombin tonë shqiptar”, thuhet në këtë deklaratë.

Advertisement