Kronike
Konflikti degjeneron në kërcënim me armë, arrestohet 36-vjeçari
Një konflikt për motive të dobëta në Durrës ka përfunduar me arrestimin e një 36-vjeçari, i dyshuar se ka kanosur me armë zjarri një 69-vjeçar.
Sipas policisë, gjatë konfliktit 36-vjeçari dyshohet se ka përdorur një kallashnikov për të kërcënuar 69-vjeçarin. Pas marrjes së kallëzimit dhe veprimeve hetimore, efektivët kanë ushtruar kontroll në banesën e të dyshuarit.
Gjatë kontrollit, policia gjeti dhe sekuestroi armën e zjarrit që dyshohet se është përdorur në ngjarje, si dhe një krehër me municion luftarak.
36-vjeçari u arrestua dhe materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme. Hetimet vijojnë për të dokumentuar rrethanat e konfliktit dhe dinamikën e plotë të ngjarjes.
Njoftimi i Policisë
“Kanosi me armë zjarri kallashnikov, një shtetas me të cilin u konfliktua për motive të dobëta, arrestohet 36-vjeçari.
I arrestuari, me precedentë të theksuar penal për armëmbajtje pa leje dhe krime kundër personit.
Sekuestrohen arma e zjarrit kallashnikov e dyshuar e përdorur për kanosjen dhe një krehër me municion luftarak.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, pasi morën informacion për një konflikt në lagjen nr.8, kanë organizuar menjëherë punën për zbardhjen e rrethanave të konfliktit dhe parandalimin e përshkallëzimi të tij. Në kuadër të operacionit të koduar “Relatives”, u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi:
-H. Ll., 36 vjeç, banues në Durrës, shtetas me precedentë të theksuar penal në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe krimeve kundër personit.
Ky shtetas dyshohet se është konfliktuar për motive të dobëta me shtetasin E. B., 69 vjeç, banues në Durrës dhe më pas e ka kanosur atë, me armë zjarri kallashnikov, që e posedonte pa leje.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit H. Ll., shërbimet e Policisë gjetën armën e zjarrit kallashnikov që dyshohet se është përdorur për kanosjen dhe një krehër me municion luftarak.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”