✦
Thinking ...
Connect with us

Bota

Irani kërcënon bazat amerikane në Evropë, zgjeron hartën e hakmarrjes

Irani ka zgjeruar paralajmërimet ndaj Shteteve të Bashkuara, duke lënë të kuptohet se në rast të një sulmi të ri amerikan, kundërpërgjigjja mund të përfshijë edhe bazat ushtarake të Uashingtonit në Evropë. Teherani paralajmëron kështu se objektivat e mundshëm nuk do të kufizohen vetëm në Lindjen e Mesme.

Deklarata është bërë nga gjenerali Mohsen Rezaei, sekretar i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, në një intervistë për televizionin libanez pro-iranian “Al Mayadeen”. Ai tha se nëse avionët amerikanë përdorin instalimet ushtarake në Evropë për të sulmuar Iranin, edhe këto baza mund të përfshihen në objektivat e kundërpërgjigjes.

Sipas Rezaeit, në rast të një sulmi të ri, Irani mund të godasë edhe objektiva në zona ku nuk ka vepruar më parë.

Një tjetër vijë e kuqe për Teheranin mbetet programi bërthamor. Zyrtari iranian përjashtoi mundësinë e largimit jashtë vendit të rezervave të uraniumit të pasuruar, duke deklaruar se Irani nuk do të lejojë nxjerrjen e materialit bërthamor dhe synon ta përdorë atë brenda vendit.

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, para sulmeve izraelite dhe amerikane ndaj objekteve bërthamore iraniane në qershor 2025, Teherani dispononte 440.9 kilogramë uranium të pasuruar në nivelin 60 për qind. Sasia që ka mbetur pas sulmeve nuk është përcaktuar ende me saktësi.

Shtetet e Bashkuara, Izraeli dhe vende të tjera perëndimore kanë akuzuar prej vitesh Iranin se synon të zhvillojë armë bërthamore, ndërsa autoritetet iraniane i kanë mohuar vazhdimisht këto pretendime.

Advertisement