✦
Thinking ...
Connect with us

Pinknews

Drake i lidhur me një vajzë shqiptare? E vërteta pse reperi i njohur është i dashuruar me Shqipërinë

Dashuria e reperit kanadez Drake për simbolet shqiptare dhe mundësia e një vizite të tij në Shqipëri kanë qenë në qendër të diskutimeve në emisionin “Shqipëria Live”, me moderatore Sidorela Gjonin. Të ftuarit Alessio Alia, Aldor Nini dhe Xhani Demika ndanë këndvështrime të ndryshme mbi lidhjen e artistit me shqiptarët dhe përdorimin e flamurit kuqezi në videoklipet e tij.

Alessio Alia tregoi se Drake ka krijuar miqësi të forta me shqiptarë gjatë viteve kur jetonte në Kanada, veçanërisht me persona nga Kosova dhe veriu i Shqipërisë. Sipas tij, reperi nuk i ka harruar njerëzit që e kanë mbështetur përpara se të bëhej i famshëm dhe vazhdon të shfaqë simpatinë për Shqipërinë dhe simbolet e saj.

Alia zbuloi gjithashtu se ka komunikuar disa herë me artistin dhe se ekziston mundësia që ai të vizitojë Shqipërinë gjatë turneut të ardhshëm. Ai deklaroi se, sipas informacioneve që disponon, gjasat për një vizitë të tillë janë të larta, por nuk dha detaje të mëtejshme.

Gjatë diskutimit, Alia përmendi edhe respektin që Drake ka për shqiponjën dhe flamurin shqiptar, duke theksuar se artisti i ka përdorur këto simbole në videoklipet e tij. Ai madje u shpreh se artistët shqiptarë duhet të tregojnë më shumë përkushtim ndaj simboleve kombëtare.

“Tani, siç e di, ka bërë edhe klipin para dy vitesh, ku kam qenë aty prezent për këto gjëra. Kam thënë që Drake ka një shoqëri shumë të mirë me shqiptarët kur ka jetuar në Kanada dhe ka një dashuri shumë të madhe për Shqipërinë. E tregon herë pas here këtë dashuri që ka për vendin tonë. Për sa informacione kam, ai i bën këto gjëra para Festës së Flamurit. Është rritur me disa çuna nga Kosova dhe veriu i Shqipërisë. Është rritur me ta në Kanada dhe ka shoqëri shumë të fortë. Nuk i harron asnjëherë, sepse gjërat që kanë bërë për të kur nuk ka qenë i famshëm, nuk ua ka harruar asnjëherë. Drake e do shumë Shqipërinë. Kam folur disa herë me të kur kam bërë turin në Evropë”, shprehet Alia.

Alia zbuloi gjithashtu se Drake mund të vizitojë Shqipërinë gjatë turneut të tij të ardhshëm, por u tregua i rezervuar për të dhënë më shumë detaje.

“Drake do të vijë edhe në Shqipëri. Kam informacion dhe nuk do të flas shumë, nuk do të them se kush. Ma merr mendja se ky ka turneun vitin tjetër dhe mund të jetë në Shqipëri. Ma merr mendja 90% po”, deklaroi Alia.

Më tej, Alia tregoi edhe një episod nga komunikimi me artistin, duke theksuar respektin që ai ka për shqiptarët dhe simbolikën kombëtare.

“Drake, për sa kam folur, ka respekt shumë të madh, sepse i di për burra që e mbajnë fjalën dhe kanë qenë gjithmonë aty për të. Një herë, kur i thashë: ‘Drake, je si Mother Teresa për Shqipërinë’, ai më tha: ‘No way’. Kështu që i bën përshtypje shumë, sepse e dashuron shumë pjesën e shqiponjës. Do t’u japë një mësim shqiptarëve, sepse gjithmonë, nga fillimi deri në fund, e ka bërë klipin me shqiponjën. Nuk kam parë një këngëtar shqiptar që ta ketë flamurin nga fillimi deri në fund. Them të drejtën se duhet të mësojnë shumë shqiptarë nga ky”, shprehet Alia.

Alessio theksoi se Drake nuk ka qenë i dashuruar me një vajzë shqiptare, duke shtuar se artisti e pëlqen shumë shqiponjën dhe flamurin shqiptar.

Një këndvështrim tjetër solli Aldor Nini, i cili u shpreh se shqiptarët duhet të jenë më realistë në mënyrën se si e interpretojnë përdorimin e simboleve kombëtare nga artistët ndërkombëtarë.

“Zakonisht, të jemi pak më të sinqertë me veten tonë. Kur një figurë publike përdor elementet të cilat janë pjesë e kombit tonë, si shqiponja, ai e përdor atë për të identifikuar veten në një pikëpamje të caktuar. Producenti i tij është nga Kosova, nga ai ka dëgjuar shumë për shqiptarët. Fakti që i përdor këto elemente, për figurat publike në këto nivele, i bën një lloj avantazhi në treg. Tjetër gjë është nëse ti beson apo ke një simpati për popullin shqiptar, atëherë ti atë gjë e tregon me veprime të tjera. Është një element marketingu. Vazhdojmë të kemi vëmendje botërore pikërisht nga këta persona, por nuk duhet të gënjejmë veten”, u shpreh Nini.

Ndërsa Xhani Demika u shpreh se Drake është një artist i madh dhe se do të ishte kënaqësi nëse ai do të vizitonte Shqipërinë, duke ngritur edhe mundësinë që pas interesimit të tij për vendin tonë të qëndrojë një histori dashurie.

“Drake është artist i madh. Uroj që të vijë në Shqipëri, siç kanë ardhur artistë të tjerë botërorë. Unë kam përshtypjen që ai do të ketë lidhje me një vajzë shqiptare, është dashuruar aq keq dhe ajo do t’i ketë treguar aq shumë për Shqipërinë. Pse të mos vijë për pushime në Shqipëri?”, përfundon Demika.

Advertisement