Politike
Socialistët i kthejnë shpinën Ramës? Nuk mbështesin kërkesën për përjashtimin e Spiropalit dhe Ndrecës?
Kërkesa e Edi Ramës për përjashtimin e Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës nga Partia Socialiste nuk duket se është mbështetur nga anëtarët e Asamblesë Kombëtare. Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, ka konfirmuar se të dy vijojnë të jenë anëtarë të partisë.
Gjatë mbledhjes në Gjirin e Lalëzit, e zhvilluar pjesërisht me dyer të mbyllura dhe pjesërisht e hapur për mediat, mësohet se kundër përjashtimeve janë shprehur edhe figura të vjetra të socialistëve. Mes tyre ishte deputeti Fatmir Xhafaj, i cili propozoi marrjen e masave ndaj Spiropalit dhe Ndrecës, por jo largimin e tyre nga partia.
Ndërkohë, Asambleja ka sjellë ndryshime në organizimin politik të Partisë Socialiste në Tiranë. Sipas Blendi Klosit, Erion Veliaj dhe Taulant Balla janë larguar nga drejtimi i strukturave përkatëse, ndërsa në vend të tyre janë propozuar Albana Koçiu dhe Ervin Demo si bashkëkryetarë.
“Mbledhja e sotme ishte një nga mbledhjet e radhës të Asamblesë së PS. Jemi fosuksuar në zgjedhje, nga sot jemi në fushatë. Nga pikëpamja orgnizative për Tiranën, u propozuan dy bashkëkryetarë, Albana Koçiu dhe Ervin Demo, kurse drejtimi politik i mbetet Ogerta Manastirliut”, tha Blendi Klosi.
Sa i përket drejtimit politik të kryeqytetit, ai do t’i mbetet Ogerta Manastirliut, duke rrëzuar raportimet e mëparshme për largimin e saj nga kjo detyrë.
Klosi deklaroi se Partia Socialiste e konsideron veten tashmë në fushatë elektorale dhe se mbledhja u përqendrua te organizimi i strukturave dhe përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme.