Bota
Kaos në qiellin amerikan, anulohen mbi 11 mijë fluturime/ Hera e tretë në historinë e Amerikës
Administrata Federale e Aviacionit në SHBA ka hequr ndalimin e fluturimeve në të gjithë vendin, i cili u shpall të premten pasdite për shkak të një problemi në sistemin e kontrollit të trafikut ajror. Vendimi shkaktoi vonesa dhe anulime në më shumë se 11 mijë fluturime, duke krijuar kaos në aeroportet amerikane, sipas të dhënave të FlightAware.
FAA konfirmoi se hapësira ajrore amerikane u rihap në orën 20:15, sipas orës lokale lindore. Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, deklaroi se problemi që paralizoi sistemin është identifikuar dhe se ai tashmë është funksional. Megjithatë, sipas tij, autoritetet do të kenë nevojë për kohë për të kuptuar plotësisht çfarë ndodhi.
Gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, Duffy shpjegoi se shkaku lidhej me vjetërsinë e sistemit të kontrollit të trafikut ajror. Sipas tij, routerët u mbingarkuan nga sasia e të dhënave dhe nisën të prodhonin informacione të papërputhshme, çka detyroi autoritetet të ndërprisnin përkohësisht funksionimin e sistemit.
Më herët, Duffy kishte bërë të ditur se bëhej fjalë për një problem komunikimi që prekte të gjitha qendrat e kontrollit të trafikut ajror në vend. FAA njoftoi se ndalimi i fluturimeve u vendos për arsye sigurie dhe për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme. Në momentin e dhënies së urdhrit, më shumë se 3 500 avionë ndodheshin në ajër.
Ndërkohë, sekretari i Sigurisë Kombëtare, Markwayne Mullin, deklaroi se hetimet paraprake nuk kanë evidentuar prova që problemi të ketë ardhur si pasojë e një sulmi dashakeq.
Sipas raportimit, kjo është hera e tretë që të gjitha fluturimet në nisje pezullohen në SHBA. Rasti i parë ishte më 11 shtator 2001, ndërsa i dyti në janar të vitit 2023, kur FAA ndërpreu për më pak se dy orë të gjitha nisjet e fluturimeve të brendshme, pas një defekti në sistemin e njoftimeve për pilotët.
Sistemi amerikan i kontrollit të trafikut ajror menaxhohet nga më shumë se 14 mijë kontrollorë, të cilët mbikëqyrin mbi 44 mijë fluturime që nisen nga aeroportet amerikane çdo ditë. Problemi i fundit ka rikthyer në vëmendje nevojën për modernizimin e infrastrukturës teknologjike të aviacionit.
Javën e kaluar, FAA njoftoi se kullat e para dixhitale të kontrollit të trafikut ajror në SHBA kishin nisur zyrtarisht funksionimin në Alaska dhe Florida. Projekti synon të ulë vonesat dhe të përmirësojë menaxhimin e trafikut ajror.
Ndërkohë, Kongresi amerikan kishte miratuar vitin e kaluar 12.5 miliardë dollarë për përmirësimin e sistemit të vjetër të komunikimit të FAA-së. Pas incidentit të së premtes, agjencia dhe Shtëpia e Bardhë i kanë kërkuar Kongresit edhe 30.1 miliardë dollarë për të adresuar probleme të tjera të infrastrukturës.