Bota
Netanyahu kërkon aleancë me rivalin/ Eisenkoti e refuzon: Nuk të funksionon me mua
Benjamin Netanyahu ka përsëritur thirrjen për krijimin e një qeverie të unitetit kombëtar në Izrael, duke i kërkuar rivalit të tij politik, Gadi Eisenkot, të zhvillojnë negociata pa kushte paraprake. Por ky i fundit e ka refuzuar publikisht propozimin, duke e cilësuar si një manovër politike.
Përplasja vjen në një moment vendimtar për politikën izraelite, pasi Eisenkot është mandatuar nga presidenti Isaac Herzog për formimin e qeverisë së re, pas zgjedhjeve parlamentare të 27 tetorit 2026.
Ai ka në dispozicion 28 ditë për të siguruar mbështetjen e nevojshme parlamentare, me mundësi zgjatjeje edhe për 14 ditë të tjera. Asnjëri prej blloqeve politike nuk ka siguruar shumicën prej 61 deputetësh në parlamentin me 120 vende.
Në një deklaratë me video të publikuar të shtunën, Netanyahu tha se takimi i zhvilluar me Eisenkotin të enjten e kishte bindur edhe më shumë për domosdoshmërinë e krijimit të një qeverie uniteti.
Sipas tij, një bashkëqeverisje e tillë do t’i mundësonte Izraelit të përballonte më mirë sfidat e sigurisë, veçanërisht kërcënimin që, sipas tij, vjen nga Irani.
“Le të ulemi në një dhomë, pa parakushte, të lëmë mënjanë të gjitha mosmarrëveshjet dhe bojkotet tona dhe të arrijmë marrëveshje për sigurinë dhe të ardhmen e shtetit”, deklaroi Netanyahu
Megjithatë, reagimi i Eisenkotit ishte i menjëhershëm. Ai akuzoi kryeministrin në detyrë se po përdor thirrjet për unitet për qëllime politike, ndërkohë që negociatat për formimin e qeverisë së re janë tashmë në zhvillim.
“Netanyahu e di se i ka humbur zgjedhjet. Ai bën thirrje për negociata ndërkohë që ato janë duke u zhvilluar tashmë; pretendon se dëshiron unitet, por mbjell përçarje dhe nxit tensione sikur të mos kishte të nesërme”, u shpreh Eisenkot.
Ai shtoi se këto taktika nuk do të funksionojnë ndaj tij, duke lënë të qartë se nuk e konsideron propozimin e Netanyahut një përpjekje të sinqertë për bashkëpunim politik.
Një nga çështjet kryesore të negociatave mbetet edhe mundësia e krijimit të një qeverie minoritare. Plani i Eisenkotit parashikon mbështetjen e 48 deputetëve të bllokut të tij, ndërsa miratimi i qeverisë do të bëhej i mundur përmes abstenimit të disa partive të tjera parlamentare.
Nga ana tjetër, Netanyahu ka paralajmëruar se një qeveri e tillë do të ishte e brishtë dhe nuk do të kishte kapacitetin e nevojshëm për të përballuar sfidat e sigurisë, veçanërisht përballjen me Iranin.
Negociatat pritet të jenë të vështira, ndërsa përpjekjet për krijimin e shumicës parlamentare do të përcaktojnë nëse Eisenkot do të arrijë të formojë qeverinë e re apo nëse Izraeli do të përballet me një tjetër ngërç politik