✦
Thinking ...
Connect with us

Pinknews

Më the ‘im bir nuk do të bëhet kurrë’/ Jonida Maliqi perplaset me psikologen: I ke parë fëmijët si bankomate

Një debat i fortë ka përfshirë studion e emisionit “Goca dhe Gra”, ku këngëtarja Jonida Maliqi është përballur drejtpërdrejt me psikologen Anjeza Dishnica për trajtimin dhe vlerësimin e fëmijëve në spektrin e autizmit.

Përplasja mori një dimension personal për këngëtaren, e cila ka ndarë publikisht përvojën e saj si nënë e një djali në spektrin e autizmit, duke rrëfyer shqetësimet për mënyrën se si familja ishte informuar dhe trajtuar gjatë procesit të vlerësimit.

Gjatë diskutimit, psikologia theksoi rëndësinë e një vlerësimi të kujdesshëm nga ekipe multidisiplinare, si dhe të ndërhyrjeve terapeutike të përshtatura sipas nevojave individuale të çdo fëmije.

Dishnica foli edhe për përvojën e saj profesionale, duke kujtuar se në vitin 2009 kishte qenë drejtoresha e parë e një qendre që kishte ngritur dhe drejtuar, përpara se të largohej për të ndjekur një tjetër rrugëtim profesional.

Por biseda u tensionua kur diskutimi u përqendrua te historia e djalit të Jonida Maliqit dhe terapitë që ai kishte ndjekur ndër vite.

Psikologia u ndal edhe te terapia ABA, duke shpjeguar se ajo aplikohej në Shqipëri që prej vitit 2014 dhe se trajtimi synon zhvillimin e aftësive individuale dhe socializimin e fëmijëve.

Në këtë pikë, Jonida Maliqi riktheu përvojën e saj personale, duke pretenduar se mënyra se si i ishte komunikuar informacioni për të birin e kishte traumatizuar atë dhe prindin tjetër të fëmijës.

Këngëtarja bëri akuza të drejtpërdrejta ndaj psikologes, duke pretenduar se ajo i kishte thënë se djali i saj “nuk do të bëhet kurrë”, si dhe se i kishte rekomanduar pesë deri në gjashtë orë terapi në ditë në qendrën e saj.

“Ti i ke parë fëmijët si bankomate, e dashur. Dhe këtu ndahet mjekësia me njerëzoren”, deklaroi Maliqi gjatë përplasjes.

Ajo pretendoi gjithashtu se ishte këshilluar të mos e dërgonte të birin në kopsht dhe shkollë, por ta përfshinte në disa orë terapi në qendrën e psikologes.

“Duhet të vijë të bëjë 5-6 orë terapi në qendrën time për të përfituar ti paratë tona”, ishte një tjetër prej akuzave të forta të këngëtares.

Nga ana tjetër, Anjeza Dishnica mbajti qëndrimin e saj, duke deklaruar se problematikat ishin identifikuar që në kontaktin e parë me familjen dhe duke theksuar se procesi i vlerësimit nis që në takimin fillestar.

Përplasja solli në qendër të vëmendjes jo vetëm përvojën personale të Jonida Maliqit, por edhe një diskutim më të gjerë mbi komunikimin me prindërit, përgjegjësinë profesionale dhe rëndësinë e trajtimit të fëmijëve në spektrin e autizmit me kujdes dhe dinjitet.

Advertisement