✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Marjana Koçeku ironizon Ramën pas Asamblesë së PS-së: Sa më parë dorëheqje

Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste, e zhvilluar këtë të shtunë, ka shkaktuar reagime edhe jashtë radhëve të mazhorancës. Deputetja e pavarur Marjana Koçeku ka ironizuar zhvillimet gjatë mbledhjes, duke drejtuar kritika ndaj kryeministrit Edi Rama.

Përmes një postimi në Facebook, Koçeku ka komentuar momentet e ndryshme të Asamblesë, duke u ndalur te duartrokitjet, ndryshimi i udhëzimeve për kamerat dhe diskutimet për përjashtimet nga partia.

Me tone ironike, ajo ka vënë në pikëpyetje mënyrën se si drejtohet Partia Socialiste, duke e lidhur situatën e krijuar gjatë mbledhjes me aftësinë e saj për të qeverisur vendin.

“Dikush duartroket me zell, dikush hiç. Mandej hapet shfaqja, thotë ‘mbylli kamerat’, mandej ‘hapi kamerat’. Mandej thotë ‘ta përjashtojmë’, derisa dikush tjetër ‘ta rishqyrtojmë’”, shkruan deputetja.

Në vijim të reagimit, Koçeku e shndërroi ironinë në një kritikë të drejtpërdrejtë ndaj partisë në pushtet, duke ngritur pikëpyetje mbi koordinimin dhe vendimmarrjen brenda saj.

“Një parti që s’di çka thotë dhe s’kontrollon dot veten e vet, si mundet me drejtu një shtet?”, vijon ajo.

Në fund, deputetja e pavarur e mbyll postimin me një thirrje të drejtpërdrejtë për largimin e kryeministrit nga detyra.

“Sa ma parë dorëheqje, aq ma mirë”, përfundon reagimin Marjana Koçeku.

Postimi i saj vjen pas zhvillimeve në Asamblenë Kombëtare të PS-së, të cilat u shoqëruan me diskutime për qëndrimet e anëtarëve dhe çështjet e brendshme të organizimit të partisë.

Advertisement