✦
Thinking ...
Connect with us

Shkrime

BUFI I KUQ TMERRON EUROPEN/ IDENTITETI MISTERIOZ, GJURMA RUSE DHE TAJVANEZE FUSIN KONTINENTIN NE PANIK

Një fushatë e pazakontë kërcënimesh ka vënë në alarm disa vende evropiane, duke detyruar autoritetet të aktivizojnë masat e emergjencës në shkolla, televizione dhe aeroporte. Pas mesazheve që paralajmërojnë shpërthime bombash, vrasje masive dhe sulme me armë të ftohta, shfaqet një personazh misterioz që përdor emrin “Mikhail Andropov” dhe pretendon se drejton një organizatë të quajtur “Bufi i Kuq”.

Identiteti i vërtetë i dërguesit dhe qëllimi i kësaj fushate mbeten ende të paqarta. Hetuesit po shqyrtojnë disa pista, përfshirë mundësinë e një individi që vepron i vetëm, një rrjeti të organizuar apo një operacioni më të gjerë për të krijuar destabilitet dhe panik në vendet evropiane.

Sipas raportimit të gazetës franceze “Le Monde”, vetëm më 11 nëntor, rreth 6.300 institucione arsimore në Itali u përballën me kërcënime, ndërsa mesazhe të ngjashme mbërritën edhe në qindra shkolla në Skoci, Irlandën e Veriut dhe Republikën e Irlandës.

Në disa prej institucioneve italiane mësimi u ndërpre dhe nxënësit e personeli u evakuuan, ndërsa forcat e policisë kryen kontrolle për të verifikuar nëse kishte pajisje shpërthyese. Deri tani, asnjë bombë nuk është gjetur.

Përmbajtja e mesazheve ishte veçanërisht alarmante. Në komunikimet drejtuar shkollave britanike, dërguesi pretendonte se kishte vendosur një bombë me detonator në distancë dhe kërcënonte edhe kryeministrin britanik. Në përfundim të mesazhit, paralajmëronte se personat që do t’i mbijetonin shpërthimit do të sulmoheshin me thika.

Gjurmët elektronike të çojnë në Tajvan

Një prej elementeve që po shqyrtohet nga hetuesit lidhet me origjinën elektronike të mesazheve. Sipas agjencisë italiane ANSA, email-i që shkaktoi alarmet në shkollat italiane ishte dërguar përmes një llogarie të komprometuar, të lidhur me Universitetin Da-Yeh në Tajvan.

Llogaria rezultonte në pronësi të një ish-studenteje, e cila dyshohet se nuk ka lidhje me kërcënimet. Kjo ngre dyshime se autori mund të ketë përdorur identitetin dixhital të një personi tjetër për të fshehur gjurmët e tij dhe për të vështirësuar identifikimin.

Referencat ruse dhe emri i një lëvizjeje ekstremiste

Një tjetër element që ka tërhequr vëmendjen e autoriteteve është identiteti që përdor autori. Në Itali, ai prezantohet si drejtues i organizatës së vetëshpallur “Vilajeti i Mizogjinistanit”, ndërsa në kërcënimet drejtuar institucioneve arsimore në Britani dhe Irlandë përdor emrin “Bufi i Kuq”.

Mbiemri Andropov sjell ndërmend ish-udhëheqësin sovjetik Yuri Andropov, ndërsa emërtimi “Vilajeti i Mizogjinistanit” ndërthur terminologjinë e përdorur nga organizatat xhihadiste me referenca ndaj mizogjinisë.

Në disa mesazhe të mëparshme është përdorur edhe emri “Fighters of Men’s State”, që ngjason me lëvizjen ultranacionaliste dhe mizogjiniste ruse “Men’s State”.

Megjithatë, sipas medias ruse Meduza, themeluesi i kësaj lëvizjeje, Vladislav Pozdnyakov, ka mohuar çdo përfshirje në ngjarje, duke pretenduar se organizata e tij është shpërbërë që në vitin 2021. Deri tani nuk ka prova që të lidhin kërcënimet me këtë grup apo me ndonjë strukturë ruse.

Nga kërcënimet ndaj shkollave te alarmet në televizionet evropiane

Fushata nuk është kufizuar vetëm te institucionet arsimore. Më 6 nëntor, kërcënime të ngjashme morën edhe televizioni publik irlandez RTÉ, rrjeti bullgar Nova TV dhe televizioni britanik Sky News.

Pas marrjes së mesazhit, RTÉ evakuoi ndërtesën dhe ndërpreu përkohësisht transmetimin. Kontrollet e policisë nuk zbuluan asnjë lëndë shpërthyese.

Sipas Reuters, komunikimet drejtuar televizioneve mbanin titullin “Mesazh për Perëndimin” dhe paralajmëronin se këto incidente ishin vetëm fillimi i një serie sulmesh të mundshme ndaj transportit dhe institucioneve evropiane.

Ndërkohë, edhe trafiku ajror është prekur nga një valë alarmesh të rreme për bomba. Dhjetëra fluturime janë përballur me kontrolle të shtuara, devijime të itinerareve dhe ulje emergjente. Në disa raste, avionët janë shoqëruar nga mjete luftarake, por edhe këto kontrolle nuk kanë zbuluar eksplozivë.

Associated Press raportoi se autoritetet evropiane po hetojnë mundësinë që incidentet të jenë pjesë e një fushate më të gjerë ndërhyrjesh dhe destabilizimi.

Në Skoci, policia konfirmoi se rreth 1.000 shkolla kishin marrë mesazhe kërcënuese, por i cilësoi ato si mashtrime, duke theksuar se nuk kishte një kërcënim të besueshëm për publikun. Ndërkohë, njësitë e specializuara të krimit kibernetik po bashkëpunojnë me partnerë ndërkombëtarë për të zbuluar autorët.

Për momentin, hetuesit nuk kanë arritur të përcaktojnë nëse pas kësaj fushate qëndron një person që kërkon të shkaktojë panik dhe të tërheqë vëmendjen, një organizatë e mirëstrukturuar apo një operacion me prapavijë politike.

Referencat ndaj Rusisë dhe grupeve ekstremiste mund të jenë pjesë e identitetit të autorit, por nuk përjashtohet as mundësia që ato të jenë vendosur qëllimisht për të çorientuar hetimet.

Një gjë është e qartë: edhe pa shpërthyer asnjë bombë, kërcënimet kanë shkaktuar pasoja konkrete në disa vende evropiane. Shkolla të evakuuara, televizione me transmetim të ndërprerë, fluturime të devijuara dhe institucione në gjendje alarmi.

“Mikhail Andropov” mbetet ende një identitet i panjohur, por fushata e tij ka arritur të shkaktojë kaos në disa prej institucioneve më të rëndësishme të Evropës.

Advertisement