Politike
“1 mijë orë filmime erotike dhe korruptive”, deklarata e fortë e Pandeli Majkos në Asamblenë e PS-së
Një deklaratë e fortë mësohet të jetë bërë nga ish-kryeministri dhe ish-deputeti socialist, Pandeli Majko, gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, të zhvilluar këtë të shtunë me dyer të mbyllura.
Sipas burimeve të Gazetës Panorama, Majko ka paralajmëruar për ekzistencën e rreth 1 mijë orëve filmime, në të cilat, sipas informacionit që pretendon se disponon, shfaqen eksponentë të Partisë Socialiste në video me përmbajtje erotike dhe korruptive.
“Kam informacion se në 1 mijë orë filmime ka eksponentë të PS-së në video erotike dhe korruptive. Mirë është të jepni dorëheqjen para se të dalin. Mos e vini në siklet partinë dhe kolegët”, mësohet të ketë deklaruar Majko.
Përmes këtij paralajmërimi, ish-kryeministri u ka bërë thirrje personave që mund të jenë të përfshirë në këto materiale që të largohen nga funksionet e tyre përpara një publikimi të mundshëm të pamjeve.
Deri më tani nuk ka të dhëna publike që të konfirmojnë ekzistencën e këtyre filmimeve apo identitetin e personave që pretendohet se shfaqen në to.
Deklarata e Majkos vjen në një moment tensionesh brenda Partisë Socialiste, pas zhvillimeve në Asamblenë Kombëtare, ku, sipas raportimeve, kryeministri Edi Rama ka kritikuar drejtues dhe deputetë socialistë.
Gjatë së njëjtës mbledhje, Rama mësohet të ketë kërkuar gjithashtu përjashtimin e Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës nga radhët e Partisë Socialiste.
Mbledhja është shoqëruar me debate dhe përplasje, ndërsa prapaskenat e saj kanë nxjerrë në pah tensionet dhe pakënaqësitë brenda kampit socialist.