Politike
Balla shpërthen ndaj opozitës: Protesta ju ka përdhunuar
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka shkaktuar debat në Kuvend me deklaratat e tij ndaj opozitës gjatë replikave me kreun e PD-së, Sali Berisha, në seancën për projektbuxhetin 2027.
Gjatë fjalës së tij, Balla përdori një shprehje fyese ndaj opozitës, duke deklaruar se protesta e kishte “përdhunuar”. Ai gjithashtu pretendoi se Partia Demokratike nuk do të ketë kapacitet të nxjerrë një kandidat për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e 9 majit, duke e ftuar opozitën të hyjë në garë.
Balla iu përgjigj edhe debatit të krijuar nga një video virale në stadium, ku ai ishte shfaqur gjatë ndeshjes së Kombëtares, në momentin kur tifozët thërrisnin “Rama, jep dorëheqjen”.
Ai tha se mbështetja për Kombëtaren dhe pjesëmarrja në mitingjet në mbrojtje të UÇK-së janë qëndrime personale që nuk duhen ngatërruar me aktivitetin e tij politik. Ndërsa lidhur me reagimin e tij në stadium, Balla kritikoi përdorimin e ndeshjeve sportive për mesazhe politike, duke u kërkuar opozitarëve që debatet t’i zhvillojnë në Kuvend dhe jo në stadium.
Deklaratat e tij u zhvilluan në një seancë të shoqëruar me përplasje verbale mes mazhorancës dhe opozitës, ku diskutimi për buxhetin u ndërthur me akuzat politike dhe polemikat për protestat.
“Zotëria ndaj të cilit doja të bëja replikë u largua por anëtarët e grupit të tij do ia transmetojnë. Di ta ndaj shumë mirë të qenurit një tifoz futbolli apo të marr pjesë në mitingjet në mbrojtje të UÇK me rolin tim politik. Nuk i bashkoj ndonjëherë sepse për mua të mbështes Kombëtaren apo mitingjet në mbrojtje të UÇK janë dy gjërat që dua më shumë.
Sa i përket brrylit, kush e ka lexuar ashtu, me përjashtim të tifozëve të Kombëtares, pashë që e kishte lexuar Llapaqorri, Saliu apo edhe ndonjë tjetër në sallë, po ju lexojeni ‘hip këtu e shih Durrësin” sa herë të përdorni stadiumin për mesazhe politike. Politikën silleni në parlament por jo në stadium.
Sali, Edi Rama nuk e jep dorëheqjen. Do të qeveris Shqipërinë deri sa të përmbushim programin tonë 2030 e përtej dhe këtë e caktojmë ne socialistët, kurrë ju. Sa për ju këtu, ua them se aq të lodhur jeni, edhe nga protesta, saqë nuk do të keni fuqi të nxirrni kandidat më 9 maj në Tiranë. E ftoj PD të nxjerrë kandidat politik në zgjedhjet e 9 majit. Protesta ia ka arritur një qëllimi. Juve ju përdhunoi.”, tha Balla.