Politike
Korreshi shpërthen në Kuvend: Po na kap korrenti njerëzit çdo ditë, ju shihni flokët me xhel
Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka kritikuar ashpër projektbuxhetin 2027, duke vënë në fokus shpërndarjen e fondeve për Bashkinë e Lushnjës dhe mungesën e investimeve në infrastrukturë dhe shëndetësi.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Korreshi ironizoi mungesën e kryeministrit Edi Rama dhe të disa ministrave në sallë, duke thënë se seanca po zhvillohej si një mbledhje e Asamblesë së Partisë Socialiste.
Deputeti u ndal te fondet e parashikuara për Lushnjën, duke pretenduar se për rritjen e pagave në bashki janë planifikuar rreth 120 milionë lekë, ndërsa për rrugët vetëm 9 milionë. Ai e cilësoi këtë raport si tregues të shpërndarjes së pabarabartë të investimeve dhe akuzoi mazhorancën se po favorizon punësimet politike, ndërsa nevojat e qytetarëve mbeten pa zgjidhje.
“Lushnja prapë me opinga!”, ironizoi Korreshi nga foltorja e Kuvendit, duke ngritur shqetësimin edhe për detyrimet financiare të bashkisë dhe problemet e vazhdueshme me infrastrukturën dhe energjinë elektrike.
Një tjetër pikë e kritikave ishte spitali i Lushnjës. Sipas deputetit, nevojat e këtij institucioni nuk kufizohen vetëm te godina, por përfshijnë edhe pajisjet mjekësore dhe materialet e domosdoshme për shërbimin ndaj pacientëve.
Në përfundim, Korreshi kërkoi shpjegime për mungesën e investimeve në Lushnjë dhe Divjakë, duke e kthyer diskutimin për buxhetin në një akuzë për mënyrën se si qeveria shpërndan fondet publike.