Aktualitet
“S’ma kupton asnjëherë askush që vuaj”/ Grida Duma: E kam paguar lirinë me vetmi
Grida Duma ka bërë një rrëfim të veçantë në emisionin “Goca dhe Gra”, ku ka folur hapur për anën e saj emocionale, jetën personale dhe koston që, sipas saj, ka pasur forca e vazhdueshme për të përballuar çdo situatë.
E pyetur nga Ema Andrea se cila është pika e saj e dobët, moderatorja u shpreh se ajo është njëkohësisht edhe pika e saj më e fortë. Duma pranoi se imazhi i një gruaje gjithmonë të fortë ka bërë që njerëzit të mos e kuptojnë kur ajo vuan dhe të mos i ofrojnë empatinë për të cilën ka nevojë.
“Dobësia ime është forca ime. Domethënë, nuk ka nevojë të jem kaq e fortë sa jam. Të jesh gjithnjë e fortë largon njerëz nga vetja. Më mungon empatia e të tjerëve, më mungon fakti që nuk ma kupton asnjëherë askush që vuaj”, u shpreh ajo.
Gjatë bisedës, Duma u pyet edhe nëse e kishte paguar lirinë me vetmi, duke dhënë një përgjigje të drejtpërdrejtë: “Absolutisht po”.
Ajo theksoi se me kalimin e kohës njerëzit krijojnë një perceptim të caktuar për ty dhe, pasi ky imazh konsolidohet, bëhet e vështirë që të tjerët të shohin anën tjetër të karakterit tënd.
E pyetur nëse do të dëshironte të ndryshonte diçka, moderatorja pranoi se do të donte të ishte më e butë me veten dhe të mos jetonte gjithmonë mes asaj që duhet të bëjë dhe asaj që dëshiron realisht.
“Unë e dua atë që duhet, megjithatë ka momente që nuk është nevoja të jetë gjithmonë në të njëjtën trajektore. Duhet dhe dua gjithë kohën, mund të jetë edhe vetëm dua, pa duhet. Dhe këtë gjë unë nuk e kam takuar akoma në jetën time”, rrëfeu Grida Duma.
Një bisedë që nxori në pah një anë më personale të moderatores, përtej imazhit të saj publik, duke vënë në fokus vetminë, nevojën për mirëkuptim dhe dëshirën për të mos qenë gjithmonë e fortë.
Ema Andrea: Grida, pika jote e dobët?
Moderatorja Grida Duma: Pika ime e dobët është pika ime e fortë. Është njësoj si dashuria dhe urrejtja që takohen, si dashuria dhe xhelozia që takohen. Dobësia ime është forca ime. Domethënë, nuk ka nevojë të jem kaq e fortë sa jam. Gati e ktheva në mashkullore, domethënë jam shumë e fortë. Unë mendoj, kur bënim disa analiza PR në politikë, do t’i rikthehem Orit, mendoj që një mur gome është më i fortë se një mur tulle. Që do të thotë, të jesh gjithnjë e fortë largon njerëz nga vetja. Më mungon empatia e të tjerëve, më mungon fakti që nuk ma kupton asnjëherë askush që vuaj.
Ema Andrea: E ke paguar lirinë me vetmi?
Moderatorja Grida Duma: Absolutisht po. Sa herë që më thonë: “Je bërë virale sot, ka ndodhur kjo gjëja”, u them: “Le të jetë, nuk më merr njeri më sysh, se e kam paguar unë koston e vetes”. Kështu që kjo është pika ime e dobët. Pika ime e fortë është pika ime e dobët. Sikur të isha një çikë më e dobët, mund të kisha një çikë më shumë dashuri me veten time, pra mund ta kisha një çikë më shumë xhan.
Ori Nebiaj: A është zgjedhje realisht?
Moderatorja Grida Duma: Jo, është rrugë që të vazhdon pastaj, është hapur dhe vazhdon. Vazhdon ashtu, nuk kthehesh dot më pas, sepse sapo kthehesh, ti e kupton që të gjithë ata që tashmë relatojnë me ty, relatojnë me ty ashtu siç të shohin ata. Dhe ti, kur rritesh, nuk i ndryshon dot më ata, ndryshon vetëm veten. Kështu që nuk…
Selin Bollati: Do të doje të ndryshoje?
Moderatorja Grida Duma: Padyshim që do të doja shumë.
Ema Andrea: E di ça i ndodh këtij raporti? Në momentin që je e dobët, të gjithë hidhen kundër, nuk ta pranojnë. Si ka mundësi?
Moderatorja Grida Duma: Nuk ta pranojnë atë dobësi dhe ai është momenti më vetmitar.
Ori Nebiaj: Kur ka qenë ai moment? Kur ke ndier që ke paguar koston?
Moderatorja Grida Duma: Shumë herë, para një jave. Është gjithmonë. Nëse unë e them, ej po, nëse unë jam një mekanizëm që funksionoj, duhet, duhet, duhet, dhe do të arrij të takoj veten kur të them: këtë dua ta bëj, ose atë që duhet nuk e dua. Unë e dua atë që duhet, megjithatë ka momente që nuk është nevoja të jetë gjithmonë në të njëjtën trajektore. Duhet dhe dua gjithë kohën, mund të jetë edhe vetëm dua, pa duhet. Dhe këtë gjë unë nuk e kam takuar akoma në jetën time. Vetëm dua, nuk e kam takuar.