✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

Bilanci i dhunës në protestën e 28 Nëntorit, 61 të lënduar, 5 vijojnë të jenë në spital

Ka shkuar në 61 numri i personave të lënduar gjatë protestës së 28 Nëntorit në Tiranë. Shifra është bërë publike nga Ministria e Shëndetësisë, në bilancin e përditësuar për pasojat e tubimit që u shoqërua me episode të përsëritura dhune.

Sipas të dhënave zyrtare, mes 61 të lënduarve janë 25 efektivë policie, 22 protestues, 6 gazetarë, 6 kalimtarë, një punonjës sigurie dhe një deputet.

Pesë prej tyre vijojnë të jenë të shtruar në Spitalin Universitar të Traumës: një efektiv policie, dy protestues, një gazetar dhe një kalimtar. Të tjerët kanë lënë spitalet pas marrjes së ndihmës mjekësore dhe këshillave përkatëse nga mjekët.

Ministria e Shëndetësisë ka dhënë informacion edhe për protestuesin që pësoi dëmtim në sy, duke sqaruar se ai ka pësuar kontuzion të globit okular dhe jo dëmtim nga prania e një trupi të huaj në sy. Ai vijon të jetë nën ndjekjen e mjekëve specialistë.

Nga të dhënat e ministrisë rezulton se 50 persona janë paraqitur për trajtim në Spitalin e Traumës, ndërsa 11 të tjerë kanë marrë ndihmë mjekësore në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, mes tyre edhe një deputet, identiteti i të cilit nuk është bërë publik.

Protesta kundër qeverisë Rama, e zhvilluar në 114-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, zgjati më shumë se 10 orë dhe u shoqërua me përplasje të vazhdueshme. Protestuesit hodhën molotovë dhe gurë në drejtim të forcave të rendit, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion për shpërndarjen e turmës.

Gjatë tubimit, një efektiv policie u përfshi nga flakët pas hedhjes së një molotovi. Në përplasjet e dhunshme u lënduan gjithashtu gazetarë dhe kalimtarë.

Advertisement