Aktualitet
Bankers sërish nën lupë/ Kontratë e re për stafin, në mes të dosjes së madhe për taksat
Një zhvillim i ri rikthen në vëmendje mënyrën se si Bankers Petroleum Albania kontrakton shërbime përmes kompanive të treta, ndërsa vetë kompania është prej kohësh nën hetim për një dosje të rëndë fiskale.
Sipas një raportimi të publikuar sot nga Kapitali.al, Bankers ka nënshkruar në fillim të këtij viti një kontratë për rekrutimin e stafit me kompaninë shqiptare Bloom, me seli në Fier.
Raportimi pretendon se kontrata është firmosur nga drejtori ekzekutiv i Bankers, Luntao Chen, dhe se shërbimi i rekrutimit të punonjësve i është kaluar kompanisë së tretë kundrejt pagesës.
DOSJA E BANKERS
Çështja merr peshë për shkak të hetimit penal që ka përfshirë më herët Bankers Petroleum.
Prokuroria e Fierit ka bërë publik se hetimi ndaj kompanisë nisi pas një referimi nga Hetimi Tatimor dhe lidhet me dyshime për:
– skema mashtruese me TVSH-në;
– fshehje të ardhurash;
– pastrim parash;
– rritje fiktive të shpenzimeve.
Në korrik të vitit 2025, Prokuroria njoftoi 14 masa sigurimi, nga të cilat 9 u ekzekutuan dhe 5 persona u shpallën në kërkim.
Sipas Prokurorisë, nga viti 2004 deri në fund të vitit 2024 Bankers kishte realizuar eksporte dhe shitje brenda vendit në një vlerë mbi 532 miliardë lekë, ndërsa kishte deklaruar humbje në çdo vit financiar.
Hetuesit ngritën dyshimin se shpenzimet mund të ishin fryrë artificialisht përmes kontraktorëve të ndryshëm, duke shmangur tatimin mbi fitimin dhe duke përfituar rimbursime TVSH-je.
ÇFARË THOTË BANKERS?
Për kontraktimet e reja me palë të treta, Bankers ka deklaruar se të gjitha marrëveshjet me ofrues shërbimesh, kontraktorë dhe agjenci të specializuara realizohen në përputhje me kontrollet e brendshme dhe legjislacionin në fuqi.
Në këtë moment nuk ka provë publike se kontrata Bankers–Bloom është pjesë e ndonjë skeme të paligjshme apo se kompania Bloom është nën hetim.
Pikëpyetja është tjetër:
A po verifikohen nga institucionet kontratat e reja të nënkontraktimit të Bankers, ndërkohë që mënyra e faturimit të
shërbimeve nga kompani të treta është një prej elementeve të dosjes penale ekzistuese?