Aktualitet
“Bleona Mata është gjallë”/ Gjyshi i vogëlushes prej 16 vitesh e zhdukur hap zemrën
Prej 16 vitesh, fati i Bleona Matës vijon të mbetet i pazbardhur. Vajza ishte vetëm 6 vjeçe kur humbi gjurmët më 22 maj 2010, në Zapod të Kukësit, ndërsa ndodhej në zonën e kullotave së bashku me vajza të tjera të familjes. Pavarësisht kërkimeve dhe hetimeve ndër vite, ende nuk ka një përgjigje përfundimtare se çfarë ndodhi me të.
Rasti i Bleonës është rikthyer disa herë në vëmendjen publike, ndërsa dëshmi të ndryshme kanë ngritur pista të reja hetimi. Një prej tyre lidhet me një familje në Vlorë, por kjo pistë është kundërshtuar nga familjarët e përmendur dhe deri më tani nuk është bërë publike ndonjë provë përfundimtare që të vërtetojë fatin e vajzës.
Në emisionin “Me Zemër të Hapur”, të moderatores dhe autores Evis Ahmeti, gjyshi i Bleonës, Zenel Mata, ka rrëfyer momentet e fundit kur e kishte parë mbesën. Ai tregon se atë ditë ndodhej duke kositur pranë banesës dhe kishte parë Bleonën duke luajtur në qendër të fshatit. Pak më vonë, pasi u mësua se vajza nuk ishte më aty, banorët u mobilizuan dhe nisën kërkimet në zonën përreth.
Gjatë intervistës, Zenel Mata ka mohuar që familja e tij të ketë pasur konflikte apo hasmëri me fqinjët, ndërsa ka kundërshtuar edhe dyshimet e ngritura ndër vite ndaj familjarëve. Ai ka folur gjithashtu për dëshmitë rreth një automjeti që dyshohet se është parë në zonë ditën e zhdukjes dhe ka shprehur dyshimet e tij për familjen në Vlorë. Këto mbeten pretendime dhe dyshime të shprehura prej tij gjatë intervistës dhe nuk përbëjnë fakte të provuara.
INTERVISTA
Anila Ahmataj: Zoti Zenel, përshëndetje!
Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Përshëndetje!
Anila Ahmataj: Si jeni? Si kaloni ju?
Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Mirë, mirë domethënë.
Anila Ahmataj: Ndjesë për shqetësimin. Zoti Zenel, unë të mora se doja të të pyesja pak lidhur me situatat e fundit, me dëshmitë që janë dhënë në ekranet televizive, lidhur me Bleona Matën…
Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Ahë…
Anila Ahmataj: Dhe do donim që të dëgjonim dhe versionin tuaj, se shpeshherë familja juaj përmendet gjatë intervistave që nëna e saj jep nëpër media.
Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Po… Po… Po, çfarë ka?
Anila Ahmataj: Tani, çfarë mendimi keni ju lidhur me të gjitha ato deklarata të dhëna në studiot televizive ku ju automatikisht përfshiheni nëpërmjet dëshmisë së saj?
Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Nuk ka problem prej nesh. Inshallah gjendet! Të jep ndonjë lajm ndonjëri, po…
Anila Ahmataj: Ju besoni që do gjendet?
Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Patjetër që besojmë. Sepse nuk kena probleme ne me asnjë, po vazhdon vajza…
Anila Ahmataj: Po ju vetë, zoti Zenel, çfarë mbani mend nga data 22 maj?
Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Po çfarë me mbajt mend? Gjithçka, dita e errët.
Anila Ahmataj: Pse?
Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Zi për ne ka qenë.
Anila Ahmataj: Çfarë kujtoni ju?
Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Po çfarë me kujtu? Tani kanë kaluar shumë, shumë kohë kanë kaluar…
Anila Ahmataj: Po ku keni qenë atë ditë, mbani mend? Ku jeni ndodhur atë ditë?
Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Mua atë ditë kam qenë duke kositur afër shtëpisë.
Anila Ahmataj: Çfarë ndodhi më tej?
Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): E shikoja vajzën duke luajtur këtu te mesi i fshatit…
Anila Ahmataj: Po…
Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Edhe merr në telefon goca, thotë: “A ka ardhur Bleona”, thotë, “në shtëpi?” Edhe bëmë kontrollin nëpër fshat, i gjithë fshati u mobilizua, i gjithë, gati komuna, dolëm për ta kërkuar në mal.
Anila Ahmataj: Po…
Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Edhe dy javë kemi kërkuar… edhe nuk gjetëm asgjë.
Anila Ahmataj: Bashkëshortja juaj ka dhënë dëshmi, ka parë një makinë atë ditë?
Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Me sa më njoftuan paksa, ka kaluar një makinë e Vlorës me shpejtësi drejt për në Kukës. Kishin parë dy gra, ishin në makinë, po ishin të mbuluara, thotë, “me shami”.
Anila Ahmataj: Kush e thotë këtë?
Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Ato që kishin punuar, ata punëtorët nëpër arat.
Anila Ahmataj: Po bashkëshortja, gruaja juaj?
Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Gruaja ka qenë edhe ajo në shtëpi. Ka parë një djalë, thotë, iku, thotë, pas vajzave si për mal, me flokë të gjata, i maskuar.
Anila Ahmataj: Po atë ditë, vajza juaj, halla e Bleonës, ka qenë me Bleonën?
Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Atë ditë ka qenë ajo, ka qenë me lopë sipër.
Anila Ahmataj: Veç pa Bleonën?
Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Jo, Bleona ka qenë duke luajtur këtej në mes të fshatit.
Anila Ahmataj: Po ajo vetë, vajza juaj, halla e Bleonës, çfarë tregon për ngjarjen ose për atë ditë?
Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Po çfarë të tregojë… Erdhi Bleona, thotë, me ato vajzat e tjera, me Qamilen…Ishte duke ngrënë qershi, thotë, i dha bukë, thotë, me ngrënë. Në atë kohë, thotë, shikoj lopët, se kishin ikur larg. Edhe u nis, thotë, për të kthyer lopët. Kur u ktheva, nuk e gjeta Bleonën.
Anila Ahmataj: E kuptoj. Po ju vetë, zoti Zenel, keni pasur ndonjë konflikt të tipit hasmëri me fqinjët?
Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Jo, jo, jo, jo, jo, jo, jo.
Anila Ahmataj: Me komshinjtë, me fqinjët?
Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Jo, mo jo, nuk kena pasur. Nuk kena pasur fare.
Anila Ahmataj: Po asaj kohe, cilat kanë qenë mendimet tuaja lidhur me largimin e Bleonës? Çfarë keni menduar ju vetë?
Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Po çfarë të them unë tani? Është rrëmbyer ajo. E kanë marrë dikush…
Anila Ahmataj: Sepse në disa dëshmi të Bukuries thotë që ju keni pasur konflikte me fqinjët tuaj.
Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Jo, dëgjo! Po. Konflikte me ato ku, me ato ne jemi një fis gati.
Anila Ahmataj: Keni pasur ndonjëherë konflikt me ata?
Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Jo, mo jo, nuk kena pasur konflikt! Përkundrazi, dasmë me marrë e me dhënë bashkë kena pasur gjithmonë.
Anila Ahmataj: Po djali juaj si i ka pasur marrëdhëniet me Bukurien?
Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Zamiri ka qenë gjithmonë në kurbet. Jo në Maqedoni, jo këtej. Kjo ka qenë në shtëpi. Çfarë të them unë tani? S’jam interesuar për ato problemet. Mirë kanë qenë, s’kanë qenë keq.
Anila Ahmataj: E kuptoj. Po vetë djali juaj është interesuar ndonjëherë për Bleonën?
Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Jo, jo, jo, jo! Që kur ka humbur Bleona, ai nuk ka lidhje me të, as me një familje.
Anila Ahmataj: Pra nuk flet, nuk ka komunikim me djalin?
Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Jo, jo!
Anila Ahmataj: Po pse ka ndodhur kjo ftohje?
Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Po pikërisht kjo ishte i gjithë hesap. Iku vajza… iku e Bukurija…
Anila Ahmataj: E kuptoj. Po pse u ndanë, pse u divorcuan ata?
Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Po ku e di unë tani, humbi vajza, Bukurija iku, u ndanë ata.
Anila Ahmataj: Po ju, marrëdhënia juaj me Bukurien si është?
Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Mirë ka qenë, mo mirë, unë s’kam ndonjë gjë kështu, ka qenë mirë. Unë bile, përkundrazi, me Bukurinë kam mbetur, kam shkuar atje për ta kërkuar, kudo.
Anila Ahmataj: Po, e di. Po me nipin ke komunikim?
Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Me nipin rrallëherë shkoj tani në Kukës. Kur shkoj në Kukës atëherë e takoj, po.
Anila Ahmataj: Po ai si e ka sjelljen ndaj jush?
Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Po rrallëherë, mirë është, mirë e ka, po…
Anila Ahmataj: Çfarë dyshon, çfarë dyshoni ju, zoti Zenel, dhe çfarë mendoni për këtë gjë? Cila është, domethënë, mendimi juaj apo shpresa që keni juve?
Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Shpresa ime është që gjendet, do gjendet ajo Bleona.
Anila Ahmataj: Pra ju mendoni që është gjallë Bleona?
Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Gjallë do jetë, gjallë, duhet të jetë doemos. Dëgjon? Dyshoj gjithmonë, gjithmonë te kjo familja e Vlorës.
Anila Ahmataj: Pse?
Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Se ajo ka pasur dy goca, ka pasur ai. Goca e parë është martuar me një ushtar këtu. Edhe ajo, meqë s’paska pasur fëmijë, siç thuhet, ka ikur në Gjermani ku… kush e di ku… Duhet ta ketë marrë ajo.
Anila Ahmataj: Po pas gjithë kësaj zhurme që u bë me familjen e Vlorës, keni pasur ju ndonjë kontakt nga këta familjarë?
Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Jo, mo jo, se ata janë në Vlorë ata. Ata s’kanë lëvizur hiç këtej.
Anila Ahmataj: Ju kanë telefonuar ndonjëherë për t’ju pyetur që çfarë është kjo dëshmi, pse na akuzoni?
Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Jo, jo, jo, jo, jo, jo, jo, jo! Ata s’kanë… asnjë lidhje ata. Akuza ka qenë vetëm se makina ka qenë e Vlorës edhe…
Anila Ahmataj: Po. Pra ju… ju po më thoni që dyshoni te kjo familje në Vlorë?
Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Patjetër! Tjetër s’ka. Gjithmonë më shkon mendja te aty, te ai dëshmitari.
Anila Ahmataj: Po Bukurija pse ju akuzon në njëfarë forme drejtpërdrejt juve si familje?
Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Po nuk e di unë tani? Mendimet e saja janë… Unë kam pasur lidhje shumë të mira me të, e kemi respektuar, na ka respektuar, ka qenë shumë e respektueshme.
Anila Ahmataj: Se sipas dëshmisë së saj, akuzat bien mbi ju, bashkëshorten tuaj, djalin tuaj…
Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Po tani çfarë të them unë? Ajo ka të drejtë tani, sepse ka humbur vajza. Vajza ime ka qenë atje, po kur është kthyer s’e ka gjetur fare Bleonën.
Anila Ahmataj: Po vajza juaj a ka pasur ndonjë komunikim me këtë familjen e Vlorës?
Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Po kushërinj kemi qenë, bre! Ata vinin… s’ka pasur lidhje ajo, ka qenë e vogël, po… Ata vinin këtu, ne shkonim atje gjithmonë.
Anila Ahmataj: Qamilja ka bashkëpunuar?
Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Jo, mo jo! Qamilja është e re. Është munduar me një akuzë koti tani.
Anila Ahmataj: E kuptoj. Ju kur keni folur për herë të fundit me nënën e Bleonës, me Bukurinë?
Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Po ku e di unë? Kam harruar tani… se më ka humbur edhe numri i saj.
Anila Ahmataj: Sa vite u bënë që s’flisni me njëri-tjetrin?
Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Ashtu. Ai ka bërë bllok a çfarë ka bërë, unë s’e kam numrin e saj tani…
Anila Ahmataj: Po me djalin tuaj pse nuk tentoni ta telefononi ndonjëherë?
Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Po nuk kam numër, bre! Ai s’më merr as në telefon, asgjë. As kam muhabet me të.
Anila Ahmataj: Po nëpërmjet nipit nuk ke tentuar ndonjëherë të lidhësh kontakt me Bukurinë?
Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Po nuk më del as ai në telefon.
Anila Ahmataj: Ke… ke kohë që nuk flet as me nipin?
Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Kam kohë, shumë kohë kam. Mund të jetë dy-tre vjet.
Anila Ahmataj: E kuptoj, paske shumë. Çfarë dëshiron ti t’i thuash djalit tënd, pra cili është mesazhi jot që përcjell për djalin tënd?
Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Për Zamirin a?
Anila Ahmataj: Po, për Zamirin.
Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Po në qoftë se dëgjon ai, po s’më merr mendja. Ai s’ka telefon.
Anila Ahmataj: Nëse të dëgjon… Nëse të dëgjon, çfarë do t’i thuash?
Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Po të interesohet për ne!
Anila Ahmataj: Ai është martuar, ka ndërtuar një jetë? Sa fëmijë ka?
Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Po, ka një vajzë.
Anila Ahmataj: Ka një vajzë.
Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Po.
Anila Ahmataj: Si e ka emrin vajza?
Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Anxhela.
Anila Ahmataj: Në rregull. Çfarë do t’i thuash Bukurisë nëse edhe ajo të dëgjon, se patjetër do ta dëgjojë këtë intervistë?
Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Në qoftë se më dëgjon, të më marrë në telefon se s’e kam numrin e saj, më ka humbur… Ashtu… edhe flasim, nuk ka problem. Unë e respektoj tamam si vajzën time edhe atë.
Anila Ahmataj: Po për Bleonën, mbesën tuaj, çfarë do thuash?
Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Po çfarë të thotë njeriu… jam shumë i mërzit për atë. Në qoftë se më dëgjon… me rrezik që s’më dëgjon, po po më dëgjoi, të njoftojë të paktën njërin nga familja… nga Bukurija ose nga këta, që “jam gjallë e jam këtu”.
Anila Ahmataj: Ju kuptoj. Të falënderoj shumë, zoti Zenel!
Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Nuk ka problem, edhe unë ju falënderoj shumë për respektin edhe interesimin që keni!
Anila Ahmataj: Faleminderit! Gjithë të mirat!
Zenel Mata (Gjyshi i Bleonës): Gjithë të mirat!