Bota
Çmimet e naftës bien pas njoftimit të armëpushimit nga Trump
Çmimet globale të naftës kanë rënë ndjeshëm pasi presidenti amerikan Donald Trump shpalli një armëpushim të kushtëzuar dyjavor.
Nafta Brent ka rënë me 5.8%, në 103.42 dollarë për fuçi, ndërsa nafta e tregtuar në SHBA ka pësuar një rënie prej gati 8.5%, duke zbritur në 103.25 dollarë.
Megjithatë, çmimet mbeten ende shumë më të larta krahasuar me periudhën para nisjes së konfliktit më 28 shkurt.
Presidenti amerikan Donald Trump pranoi një armëpushim dyjavor me Iranin vetëm pak orë përpara skadimit të ultimatumit të tij për goditje masive ushtarake. Marrëveshja, sipas tij, lidhet drejtpërdrejt me kushtin që Irani të rihapë Ngushticën strategjike të Hormuzit, një nga nyjet më kritike për furnizimet globale me energji.
Edhe Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare i Iranit ka konfirmuar marrëveshjen për armëpushim dyjavor, të negociuar me ndërmjetësimin e Pakistanit.
Izraeli është bërë pjesë e armëpushimit dyjavor të shpallur nga presidenti amerikan Donald Trump vetëm një orë e gjysmë përpara afatit të vendosur për Iranin për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, përndryshe do të përballej me sulme të përshkallëzuara ndaj infrastrukturës civile, bëri të ditur një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë për CNN. Sipas këtij zyrtari, Izraeli ka rënë dakord të pezullojë sulmet.