Politike
Enkelejd Alibeaj: Eshtë merita e SPAK-ut për “flakët” që po dalin nga godina e qeverisë Rama
Enkelejd Alibeaj, në një debat me gazetarin Bledian Koka, tha se është merita e SPAK-ut për “flakët” që po dalin nga godina e qeverisë Rama.
Alibeaj gjatë fjalës së tij u ndal gjithashtu te retorika politike ndaj drejtësisë së re, ndryshimet ligjore të propozuara së fundmi dhe amnistia e vitit 2023, duke theksuar se sulmet ndaj institucioneve të drejtësisë kanë ardhur nga të dyja krahët e politikës.
“Është e vërtetë që opozita vetëm fjalën ka dhe këtë mund të bëjë, dhe të vetmen armë që ka, fjalën, ia ka nxjerrë fundin SPAK-ut me mendjen e vet. Madje, para zgjedhjeve, që është momenti më i rëndësishëm sepse nuk dihet kush do t’i fitojë zgjedhjet, teza e Sali Berishës ishte se do ta shkatërroj SPAK-un, çka ka pasur në dorë e ka bërë. Jam dakord me faktin që është shumë herë më e fortë kjo çfarë po bën Edi Rama me ndryshimet ligjore dhe mosheqjen e imunitetit, të paktën me çfarë është thënë deri më sot. Është shumë më e rëndë kjo për pushtetin.
Unë i kërkova atë kohë Altin Toplinit zyrtarisht, dhe e kam me shkresë, 120 të hetuar apo të dënuar nga SPAK-u përfituan nga amnistia e 2023. Unë kam shkresë zyrtare, të thënë nga drejtuesi, me vulë dhe me firmë. 120 të dënuar, produkti i parë i SPAK-ut, produkti i parë i një drejtësie që sapo merrte këmbët. Dhe diabolizimi i Edi Ramës dhe Sali Berishës ishte që në momentin e parë të tregonin dhëmbët. Jo vetëm treguan këtë, por thanë që nëse guxon të na godasësh ne, o njërin o tjetrin, ndonjëherë të dy bashkë, ne bëjmë 110 vota. Është fakt.
Në 11 shtator, Edi Rama nxori se gjoja do të ndryshojë Kushtetutën për të zvogëluar numrin e Parlamentit. Në fakt, synimi ishte që, nën sebepin e ndryshimit dhe zvogëlimit, të fuste duart te drejtësia, të ndryshonte mekanizmin brenda Parlamentit. Dhe çfarë bëri Sali Berisha, pa ia kërkuar askush, tha: “Jam gati”. Pyetja është kjo, flaka që është ndezur te godina e Edi Ramës, nuk e kam fjalën për fishekzjarrët apo molotovët, ia ka dhënë SPAK-u. Është meritë 100% ekskluzive e SPAK-ut, nga fillimi deri në fund”, u shpreh Alibeaj.