Aktualitet
Hill zbardh prapaskenat e viteve ’90: Nga “e vërteta” për Nanon te ftohja me Berishën
Ish-ambasadori amerikan në Tiranë, Christopher Hill, ka hedhur poshtë kategorikisht pretendimet se Shtetet e Bashkuara apo diplomatë amerikanë kanë pasur rol në burgosjen e Fatos Nano në vitet ’90, duke e cilësuar këtë si një thashethem “me zero të vërteta”.
Në intervistën e dhënë në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, Hill theksoi se SHBA nuk ndërhyjnë në vendime gjyqësore dhe nuk ka pasur asnjë komunikim me autoritetet shqiptare për çështje të tilla.
Sipas tij, ideja që diplomatët amerikanë ndikojnë në vendime gjyqësore apo burgosje është “plotësisht e pavërtetë”.
Duke folur për marrëdhëniet me ish-kryeministrin Sali Berisha, Hill u shpreh se ato nisën me pritshmëri të larta, veçanërisht pas vizitës së ish-sekretarit amerikan të Shtetit James Baker në Tiranë.
Megjithatë, në mesin e viteve ’90, në Washington u krijua perceptimi se Berisha po mbante qëndrime tepër nacionaliste për çështjen e Kosovës dhe po artikulonte ide që lidhen me ndryshime kufijsh mbi baza etnike.
Sipas Hill, kjo solli ftohje të marrëdhënieve, pasi objektivi strategjik i SHBA-ve ishte stabilizimi i Ballkanit pas konflikteve në ish-Jugosllavi dhe shmangia e çdo retorike që mund të nxiste tensione.
Në intervistë, Hill riktheu në vëmendje edhe fillimet e tranzicionit shqiptar, duke e krahasuar Shqipërinë e viteve 1991-1993 me një avion që sapo ngrihej nga toka.
Ai përshkroi mbërritjen e tij në vitin 1991 si përballje me kushte minimale infrastrukturore, ku Ambasada Amerikane nisi punën në një dhomë të Hotel Dajtit.
Sipas tij, pavarësisht mungesës së strukturave bazë të ekonomisë së tregut, brenda dy viteve u shfaqën shenjat e para të kapitalizmit dhe një energji transformuese në shoqëri, duke shënuar nisjen e një epoke të re për vendin.