Aktualitet
Lajm i mirë nga spitali, protestuesi që ra pa ndjenja në Bulevard përmendet
Një lajm i mirë vjen nga spitali, ku protestuesi që u rrëzua pa ndjenja në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” gjatë protestës në Tiranë ka arritur të përmendet dhe të komunikojë.
Në një video të siguruar nga gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat, qytetari shihet nën kujdesin e mjekëve, teksa ka rifituar vetëdijen dhe është në gjendje të flasë.
“E kam familjen në Athinë”, dëgjohet të thotë protestuesi gjatë komunikimit me personat që ndodhen pranë tij.
Burri u gjet më herët pa ndjenja në bulevard, ku qytetarët e pranishëm i dhanë ndihmën e parë dhe tentuan ta rikthenin në vete përmes masazhit kardiak, përpara mbërritjes së autoambulancës.
Pas ndërhyrjes së ekipit mjekësor, ai u transportua drejt spitalit në gjendje të rëndë shëndetësore.
Fakti që protestuesi ka rifituar vetëdijen dhe mund të komunikojë përbën një zhvillim inkurajues. Megjithatë, ende nuk ka informacion të plotë mbi gjendjen e tij shëndetësore dhe shkakun që çoi në humbjen e vetëdijes.