Aktualitet
Me shkopinj bejsbolli/ Parandalohet përplasja mes 23 të miturve, të moshave 13 deri në 17 vjeç
Një konflikt i mundshëm mes dhjetëra të miturve është parandaluar nga Policia e Tiranës në zonën e Yzberishtit. Ngjarja pritej të ndodhte në rrugën “Besim Alla”, ndërsa ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve të Komisariatit Nr. 6 bëri të mundur shmangien e përplasjes.
Sipas Policisë, efektivët kanë konstatuar disa të mitur që mbanin me vete shkopinj bejsbolli, të cilët dyshohet se do të përdoreshin gjatë konfliktit. Në vijim të ndërhyrjes, janë identifikuar dhe shoqëruar edhe të miturit e tjerë që dyshohej se do të përfshiheshin në përplasje.
Në përfundim të veprimeve procedurale, materialet janë referuar në Prokurori dhe ndaj 23 të miturve, të moshave 13 deri në 17 vjeç, ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë. Gjatë operacionit janë sekuestruar edhe dy shkopinj bejsbolli.
Procedurat ndaj të miturve janë kryer në prani të prindërve dhe psikologut. Policia u ka bërë apel prindërve, mësuesve dhe familjarëve që të evidentojnë në kohë shenjat e konflikteve mes të rinjve, përfshirë edhe sinjalet që shfaqen në rrjetet sociale dhe hapësirën dixhitale.
Sipas Policisë së Shtetit, parandalimi i përplasjeve mes të miturve mbetet një prioritet, pasi konfliktet mes të rinjve mund të përshkallëzohen dhe të sjellin pasoja më të rënda.