Connect with us

Bota

Netanyahu i kërkon llogari Trump: Po flet me iranianët?

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, i ka kërkuar sqarime Shtëpisë së Bardhë pasi inteligjenca izraelite ngriti dyshime se zyrtarë të administratës së Presidentit amerikan Donald Trump mund të kenë qenë në komunikim me regjimin iranian për një armëpushim.

Kështu ka raportuar Axios.

Sipas dy burimeve me dijeni mbi çështjen, Netanyahu telefonoi zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë të hënën për të pyetur drejtpërdrejt nëse kishte pasur bisedime apo shkëmbim mesazhesh me Teheranin.

Një prej burimeve të Axios tha se pala amerikane i ka garantuar kryeministrit izraelit se administrata Trump “nuk po flet me iranianët pas shpine”.
Ky veprim i Netanyahut sinjalizon shqetësim në Jeruzalem për një skenar ku SHBA do të shtynte drejt një armëpushimi përpara se Izraeli të arrijë të gjitha objektivat e tij ushtarake.

Frika kryesore është që një marrëveshje e parakohshme mund të kufizojë hapësirën operacionale të Izraelit.
Një zyrtar amerikan tha se i dërguari special Steve Witkoff dhe këshilltari i Trumpit, Jared Kushner, komunikojnë pothuajse çdo ditë me Netanyahun, me kreun e Mossad-it David Barnea dhe me zyrtarë të tjerë izraelitë, duke theksuar se koordinimi gjatë muajit të fundit ka qenë “shumë i ngushtë”.

Sipas të njëjtit zyrtar, SHBA nuk ka zhvilluar bisedime me Teheranin. “Ata e dinë që ne nuk po flasim me iranianët,” citohet të ketë thënë ai.
Mesazhe indirekte nga Irani

Megjithatë, një zyrtar amerikan dhe një burim tjetër thanë se Irani ka dërguar mesazhe drejt administratës Trump përmes vendeve të Gjirit dhe kanaleve të tjera rajonale, por SHBA nuk u është përgjigjur.

Raporti i The New York Times shtoi se operativë nga Ministria e Inteligjencës iraniane kanë kontaktuar në mënyrë indirekte me CIA përmes një shërbimi inteligjence të një vendi të tretë, me ofertë për të diskutuar kushtet e përfundimit të konfliktit.

Një zyrtar amerikan deklaroi se as Witkoff dhe as Kushner nuk kanë pasur asnjë komunikim me zyrtarë iranianë si Ali Larijani apo Abbas Araghchi që nga fillimi i luftës.
Nga ana e tij, Trump përjashtoi publikisht çdo bisedim me regjimin iranian, duke shkruar në Truth Social se “është tepër vonë” për negociata.

Në thelb, episodi nënvizon nivelin e lartë të mosbesimit dhe ndjeshmërisë strategjike midis aleatëve, në një moment kur dinamika e konfliktit dhe kalkulimet për një armepushim mund te ndryshoje me shpejtesi

 

Advertisement