Connect with us

Aktualitet

Përplasjet Trump–Netanyahu janë më shumë strategji sesa krizë reale

Në emisionin “Tik Talk”, të moderuar nga gazetarja Grisela Zendeli, gazetari në Turqi Sokol Brahaj analizoi marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, duke vënë në dukje se raportimet për një përçarje të thellë mes Donald Trump dhe Benjamin Netanyahu duhen parë me kujdes.

Sipas Brahajt, deklaratat kontradiktore që vijnë nga Uashingtoni dhe Tel Avivi, veçanërisht pas zhvillimeve të fundit që lidhen me Iranin, nuk tregojnë domosdoshmërisht një krizë reale mes aleatëve strategjikë. Ai theksoi se dallimet publike mund të jenë pjesë e një strategjie diplomatike dhe politike të të dyja palëve.

“Pavarësisht qëndrimeve të ndryshme në disa çështje të Lindjes së Mesme, është e vështirë të mendohet se SHBA-ja mund ta lërë Izraelin të vetëm. Marrëdhënia mes dy vendeve mbetet një nga shtyllat kryesore të arkitekturës së sigurisë në rajon”, u shpreh Brahaj.

Gazetari nënvizoi gjithashtu se Izraeli vazhdon të ketë një rol kyç në zhvillimet politike, ekonomike dhe të sigurisë në Lindjen e Mesme, çka e bën partneritetin me SHBA-në të pazëvendësueshëm pavarësisht debateve apo mosmarrëveshjeve të momentit.

Deklarata e Brahajt vjen në një kohë kur zhvillimet në Lindjen e Mesme po ndiqen me vëmendje të lartë nga komuniteti ndërkombëtar dhe kur raportet SHBA-Izrael mbeten në qendër të diskutimeve gjeopolitike.

Advertisement