Politike
Rexhaj: Luftë e brendshme për pushtet në PS, Spiropali pjesë e garës për ‘influencë’
Analisti Albatros Rexhaj ka komentuar zhvillimet e fundit politike dhe tensionet e brendshme në Partinë Socialiste, duke u ndalur në mënyrën se si po zhvillohet gara për influencë dhe pozicionim brenda strukturave të mazhorancës. Sipas tij, në çdo parti politike ekzistojnë përplasje të brendshme dhe konkurrencë mes figurave kryesore, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në balancat e pushtetit dhe në vendimmarrjen institucionale.
Rexhaj ka analizuar edhe rolin e disa prej figurave kryesore të qeverisë dhe PS-së, përfshirë edhe Elisa Spiropalin, ku theksoi se mënyra e artikulimit publik, qasja politike dhe strategjitë personale luajnë rol të rëndësishëm në mënyrën se si individët ngjiten në hierarkinë politike.
Në këtë analizë, Rexhaj ka vënë në dukje se brenda mazhorancës ekziston një konkurrencë e vazhdueshme mes figurave të ndryshme, ku secila synon të forcojë pozicionin e saj në strukturat e qeverisjes dhe në ndikimin politik.
Sipas tij, këto zhvillime janë pjesë e një procesi normal politik, por që në të njëjtën kohë reflektojnë edhe sfidat dhe përplasjet e brendshme për kontroll dhe ndikim brenda Partisë Socialiste.
Deklarata e plotë:
“Ministri i punëve të jashtme, mos ta ta gënjejë veten, është domethënë ministri më i rëndësishëm në çdo qeveri në botë. Edhe ajo ka pasur mundësi të flasë. Por si pozicion, ministri i jashtëm është pozicioni më i rëndësishëm. Aq më tepër bëhet edhe më i rëndësishëm nëse në detyrë vjen kryetarja e kuvendit. Domethënë, edhe personi e bën diferencën. Edhe zonja Spiropali ka qenë një person i cili së paku në tre vitet e fundit ka qenë në trajektore të rritjes politike.
Domethënë, në trajektore të rritjes politike, saqë në një moment u krijua përshtypja që kur tha Edi Rama që në vitin 2030 është koha për një kryeministër femër, shumëkush e ka menduar që kryeministër femër do jetë Elisa.
Domethënë, në spekulimet në këtë qytet. Edhe një grua e fuqishme, një person i fuqishëm brenda Partisë Socialiste, domethënë ka pasur gjithë kohën e botës me dalë edhe me thënë që në Partinë Socialiste nuk ka debat, në Partinë Socialiste nuk ka kështu,. Pse nuk e ka bërë? Pra shtrohet pyetja.
Është një gjë shumë e thjeshtë që zonja Elisa Spiropali në një moment të caktuar të luftës së brendshme brenda llojit, se luftë brenda llojit ka në çdo parti, mos ta bëjmë tash këtë punë thuajse çfarë po ndodh në Partinë Socialiste s’ndodh kurrëkund në botë, ë? Edhe tash dy gra të fuqishme të Partisë Socialiste, Elisa Spiropali edhe Belinda Balluku, të dyja në trajektore të rritjes.
Njëra, për shembull Belinda, me një disiplinë më të shtuar personale në kuptimin që e ka kursyer veten prej komenteve politike, prej gjërave, domethënë kjo është strategji e rritjes. Kur e kap i shikon deklaratat e Belindës, ajo është shumë e kujdesshme në artikulimin e pozicionit të veta publike.
Përderisa Elisa ka qenë në artikulimin e pozicioneve publike, ka qenë më agresive. Që do të thotë, njëra është marrë me strukturat, tjetra ka dashur me fituar betejën publike. Legjitime është kjo.
Edhe tani në një moment kur u krijua përshtypja se zonja Belinda Balluku mund të largohet nga skena për shkak të problemeve me drejtësinë, Elisa në vend se që të tregohej e zgjuar, e përmbajtur, dhe të mos përfshijej, ajo ka menduar që nëse unë ja jap një shtytje Belindës, në kuptimin e këtyre muhabeteve që fliten me të huaj, me ambasada, me OJQ, me gazetarë, në një farë forme i shërben kauzës, asaj planit të saj që ajo e ka pasur për vetvete. Aty unë mendoj që ajo i ka bërë llogaritë keq’.