Bota
Shtëpia e Bardhë: Uraniumi i pasuruar i Iranit është në listën e prioriteteve të Trump
Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se uraniumi i pasuruar në nivel të lartë i Iranit është në krye të listës së prioriteteve të presidentit Donald Trump, ndërsa negociatat me Teheranin hyjnë në fazën e tyre të ardhshme.
“Kjo është në krye të listës së prioriteteve për presidentin dhe ekipin e tij negociator ndërsa ata hyjnë në këtë raund të ardhshëm diskutimesh”, u tha sekretarja e shtypit Karoline Leavitt gazetarëve duke shtuar se uraniumi i pasuruar i Iranit është një “vijë e kuqe” nga e cila Trump nuk po tërhiqet.
“Kjo është një vijë e kuqe nga e cila presidenti nuk do të tërhiqet dhe ai është i përkushtuar për të siguruar që kjo të ndodhë. Shpresojmë që kjo të ndodhë përmes diplomacisë” – deklaroi ajo.
Trump tha më herët se SHBA-të do të punonin me Iranin për të gërmuar dhe hequr uraniumin.
“Nuk do të ketë pasurim të uraniumit dhe Shtetet e Bashkuara, duke bashkëpunuar me Iranin, do të gërmojnë dhe do të heqin të gjithë ‘pluhurin’ bërthamor të varrosur thellë (të bombarduesve B-2),” shkroi ai në Truth Social.
Nga ana tjeter, Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, theksoi gjatë konferencës për shtyp se Irani duhet të dorëzojë uraniumin e tij të pasuruar.
Ai potencoi gjithashtu se ushtria amerikane po monitoron nga afër rezervat në objektin bërthamor të Isfahanit, një nga objektivat kryesore të administratës amerikane.
Deklaratat vijnë në një moment kur fati i uraniumit të pasuruar në Iran mbetet i paqartë pas armëpushimit dyjavor që ndaloi përkohësisht luftën 40-ditore mes palëve.
Sipas vlerësimeve të Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore, Irani kishte rreth 440 kilogramë uranium të pasuruar që nga qershori i vitit 2025. Kjo sasi, sipas ekspertëve, mund të përdoret për zhvillimin e një numri të kufizuar armësh bërthamore.